Aktualitet

Kuvendi sot voton për plotësimin me një anëtar të Gjykatës Kushtetuese!

Kuvendi i Shqipërisë, mblidhet sot pasdite në seancë plenare ku në rend të ditës janë disa vendime dhe projektligje të rëndësishme, ndër të cilët veçohet projektvendimi për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese. Partia Demokratike ka paralajmëruar se “nuk do të marrë pjesë në votim”. Kjo pasi kandidaturën e Ardian Dvoranit e quan “të papranueshme” për në Kushtetuese. Në një shënim në rrjetet sociale, deputeti demokrat, Gazment Bardhi theksoi:

Meritokracia dhe jo preferencat politike janë baza e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese.

Dy ditë më parë, maxhoranca votoi kalimin për seancë plenare të tre kandidaturave: Mariana Semini, Ardian Dvorani e Arta Vorpsi, duke respektuar renditjen e caktuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED. Sipas ligjit, Kuvendit i duhet shumica e cilësuar prej 84 votash, për të përmbysur renditjen e KED-it. Në të kundërt, Semini pritet të jetë gjyqtarja që do të plotësojë vakancën në Kushtetuese.

Të tjerë projekt-vendime kanë të bëjnë me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, emërimin e një anëtari të bordit të ERE-s apo ndryshimet në Kodin Rrugor. Po ashtu, në rend të ditës janë dhe disa marrëveshje të fushës financiare si ndryshimet në Buxhetin e vitit 2022, ratifikimi i marrëveshjes së huasë, me Fondin Saudit për Zhvillim për projektin e ndërtimit të lotit të tretë të rrugës Qukës-Qafë Plloçë, Aderimi në iniciativën e përbashkët për rregulloren e brendshme për shërbimet e Organizatës Botërore të Tregtisë, si dhe disa ndryshime e shtesa në ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”.

Pas debateve të gjata në komisionet parlamentare, Kuvendi pritet të miratojë projektligjiet “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për titujt e nderit dhe titujt vendore të nderit në Republikën e Shqipërisë”. Në rendin e ditës është dhe projektvendimi “Për zgjedhjen e Kryetarit të Autoritetit për lnformimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të shtetit”.