Bota

Ky vend legalizon abortin por me një kusht…

Parlamenti i Maltës ka miratuar një ligj që legalizon abortin, por vetëm nëse ka rrezik për shëndetin e gruas. Vendimi lehtëson ligjet më të rrepta të abortit në Bashkimin Evropian, por aktivistët pro-zgjedhjes kanë tërhequr mbështetjen e tyre, duke thënë se ndryshimet e minutës së fundit e bëjnë ligjin të paqartë, të papërshtatshëm dhe madje të rrezikshëm.

Sipas dispozitave të ligjit të ri, mjeku lejohet të ndërpresë shtatzëninë pa konsultim të mëtejshëm vetëm nëse jeta e nënës është në rrezik të menjëhershëm. Një grua, shëndeti i së cilës është në rrezik të madh, mund të ketë akses në një abort vetëm pas pëlqimit të tre specialistëve. Mijëra maltezë protestuan kundër ligjit në demonstratat në dhjetor. Partia e Punës në pushtet, e cila paraqiti projektligjin origjinal, mbështeti amendamentet, ndërsa opozita doli gjithashtu në mbështetje pas ndryshimeve.

Një koalicion prej 14 grupesh pro-zgjedhjes tha se kërkesa e tre specialistëve ishte e pazbatueshme dhe e rrezikshme dhe paralajmëroi se edhe në rastet kur jeta e një gruaje është në rrezik, mjekët kanë shumë të ngjarë të kërkojnë miratim nga frika e ndjekjes penale. Malta është e vetmja nga 27 vendet e BE-së që deri më tani ka ndaluar abortin për çfarëdo arsye, duke parashikuar një dënim prej tre deri në katër vjet burg për ndihmën e një gruaje për të kryer një abort.

Rikujtojmë, se Danimarka dëshiron të ulë moshën në të cilën një grua e re mund të abortojë pa pëlqimin e kujdestarit të saj ose prindërve nga 18 në 15-vjeçe. Këtë ka njoftuar ministrja e Barazisë Gjinore, Marie Bjere. Qeveria shpalli vendimin e saj për të mbështetur këtë propozim me rastin e 50-vjetorit të miratimit të ligjit që u jepte grave të drejtën për të zgjedhur abortin.