Rajoni

Largimi i Vulinit, presion i SHBA-së? Ambasada: Nuk ndërhyjmë në vendimet e Serbisë!

Pasi dha dorëheqjen nga posti i shefit të agjencisë serbe të Inteligjencës, BIA, Aleksandar Vulin, i cili është në listën e sanksioneve amerikane prej korrikut të këtij viti, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe për përfshirje në trafikim të drogës, si dhe për lidhjet me Rusinë, deklaroi se “SHBA-ja dhe BE-ja po kërkojnë kokën time si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë”.

Vetë presidenti Aleksandar Vuçiç pohoi po ashtu se ka pasur presione që kur Vulin u emërua në atë pozicion. Ambasada amerikane në Serbi dha përgjigjen e saj për çështjen. Shtetet e Bashkuara, thuhet në reagimin e saj për REL, nuk kanë rol në vendimet e autoriteteve serbe.

“Pozicioni ynë për Vulinin është i njohur. Ai është nën sanksionet e SHBA-së”, tha një zëdhënësi i misionit diplomatik. Ambasada sqaroi se Shtetet e Bashkuara synojnë thellimin e partneritetit me Serbinë, duke synuar integrimin europian dhe euro-atlantik të vendit.

Lëvizja e Vulinit nuk e bin megjithatë njohës e problematikave të rajonit, Daniel Sever, profesor në Universitetin Johns Hopkins, i cili insiston se dorëheqja e Vulinit nuk nënkupton një distancim të politikës së Serbisë ndaj Rusisë, por thjesht një manovër për të shmangur sanksionet shtesë.

Në dekadën e fundit, Vulin ka mbajtur disa pozita politike, përfshirë atë të kryetarit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, si dhe në departamente të mbrojtjes dhe çështjeve të brendshme.