Bota

Lufta në Lindjen e Mesme, tensione në Bregun Perëndimor!

Tensionet në Lindjen e Mesme, policia e Izraelit njoftoi se tre persona hapën zjarr me armë në një rrugë pranë një pike kontrolli në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, duke vrarë një izraelit dhe plagosur të paktën tetë të tjerë.

Në Bregun Perëndimor, dhuna është rritur prej tetorit të kaluar, kohë kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.

Benny Gatz, anëtar i Kabinetit të Luftës të Izraelit konfirmoi  se ka përpjekje të reja për të arritur një marrëveshje për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit në luftën në Rripin e Gazës.

Por, nëse Hamasi nuk bie dakord për t’i liruar pengjet e mbetura izraelite në Gazë, Izraeli do ta fillojë ofensivën tokësore në qytetin e mbipopulluar jugor, Rafah, gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit që nis në muajin mars.

Lufta e Izraelit në Gaza ka zhvendosur rreth 80% të popullsisë prej 2.3 milion banorësh nga shtëpitë e tyre. Shumica i dëgjoi urdhrat e Izraelit për t’u zhvendosur në jug të territorit dhe rreth 1.5 milion prej tyre janë vendosur në qytetin Rafah, në afërsi të kufirit me Egjiptin.

Lufta nisi kur militantët e Hamasit u hynë në jug të Izraelit më 7 tetor 2023 dhe vranë rreth 1 mijë e 200 njerëz. Po ashtu rrëmbyen mbi 250 pengje.

Rreth një e katërta e afro 130 pengjeve, që ende janë duke u mbajtur në Gaza besohet se kanë vdekur. Me sulmet e vazhdueshme, Izraeli e ka bërë rrafsh me tokën shumicën e territorit palestinez si përgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit.

Më shumë se 29 mijë palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite prej asaj kohe sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza e që drejtohet nga Hamasi. Në njoftimin zyrtar thuhet se shumica e tyre janë gra dhe fëmijë.