Bota

Lufta në Ukrainë, Kievi thotë se ka zmbrapsur dhjetëra sulme ruse!

Ukraina bën të ditur se ushtria e saj ka zmbrapsur dhjetëra sulme ruse gjatë ditës së kaluar. Kjo në kohën kur aleatët perëndimorë të Kievit diskutuan për të fortifikuar aftësitë e tij të mbrojtjes ajrore, para nisjes së kundërofensivës ukrainase, të planifikuar për në pranverë. Ushtria ukrainase njofton se ka përballuar me sukses sulmet ruse në Bahmut, Avdijivka, Marijinka e Shahtar, që gjenden në lindje të territorit. Shifrën e jep Shtabi i Përgjithshëm.

Ushtria ruse ka kryer 30 sulme ajrore dhe tre me raketa. Po ashtu ndërmori 50 sulme me raketahedhëse në 24 orët e fundit.

Ky njoftim i ushtrisë ukrainase vjen pasi dhjetëra shtete që e mbështesin Kievin zyrtar në luftën kundër forcave pushtuese ruse u mblodhën në Gjermani një ditë më parë, për të diskutuar lidhur me ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën.

Shefi i ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley tha se tani “detyra kryesore ushtarake” është sistemi i mbrojtjes ajrore i Ukrainës, duke shtuar se qëllimi kryesor është që ky sistem të bëhet më i fortë. Sipas tij, mbrojtja ajrore ishte tema kryesore e takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që u mbajt në bazën ajrore Ramshtajn të Gjermanisë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin vuri në dukje se aleatët e Kievit besojnë se Ukraina ka nevojë urgjente për aftësi të mbrojtjes ajrore. Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës përbëhet nga përfaqësuesit e rreth 50 shteteve që ofrojnë mbështetje ushtarake për Ukrainën e pushtuar nga Rusia prej 24 shkurtit të vitit 2022.

Ministria e Jashtme ruse reagoi për takimin në Gjermani duke paralajmëruar për një garë “të pakontrolluar” armësh. Ky dikaster shtoi se Moska duhet të rrisë aftësitë e saj të raketave taktike. Austin konfirmoi se SHBA-të planifikojnë që javët në vijim të dërgojnë në Gjermani tanke Abrams, duke shtuar se ushtarët ukrainas do të trajnohen si t’i përdorin ato.