Bota

Lufta në Ukrainë, mbi 200 ushtarakë ukrainas të evakuar nga Azovstal!

Rreth tre muaj luftë në Ukrainë ku më 24 shkurt nisi pushtimi rus i vendit dhe qeveria ukrainase konfirmon evakuimin e 264 ushtarakëve nga fabrika e çelikut në Azovstal të Mariupol. Në mesazhin më të fundit të një nate më parë, presidenti Zelensky informoi se në “Azovstal po shpëtojnë dhe trupat ukrainase” dhe se “aktiviteti diplomatik vijon në të tjera zona”.

Të gjithë të evakuarit janë subjekt i këmbimeve të mundshme të të burgosurve me Rusinë. Rreth 600 trupa besohet se gjendeshin në fabrikë.
Evakuimi i qindra luftëtarëve, disa edhe të plagosur, mund të shënojë fundin e betejës më të gjatë e më të përgjakshme në luftën në Ukrainë e po ashtu mund të konsiderohet si humbje për Ukrainën. Gjithashtu, kjo nënkupton se Rusia merr kontrollin e qytetit, pas disa muajsh bombardime.

Qyteti i Mariupolit është shkatërruar pas pushtimit rus dhe Kievi ka thënë se qindra mijëra njerëz janë vrarë aty. Përmes një deklarate, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase theksoi:

Garnizoni i Mariupolit e përmbushi misionin e tij luftarak. Komanda e lartë ushtarake urdhëroi ata të njësiteve të stacionuara në Azovstal që të ruajnë jetët e personelit. Mbrojtësit e Mariupolit janë heronjtë e kohës sonë.

Në një tjetër zhvillim, Bashkimi Europian nuk arriti marrëveshje për embargon ndaj naftës ruse, çka nxiti irritimin e kryediplomatit të Kievit. Ministri i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba nuk e fshehu zhgënjimin. Ndërkohë, rusët bombarduan një bazë ushtarake ukrainase, pranë kufirit me Poloninë.

Nga fillimi i luftës, Ukraina njofton për 229 fëmijë të vrarë e 423 të plagosur. Por, Prokuroria e Përgjithshme saktëson se këto janë shifra provizore dhe se ende vijojnë verifikimet në rajonet e përfshira nga konflikti ushtarak.

Donjecku është rajoni ku regjistrohet numri më i madh i viktimave. Aty kanë humbur jetën ose janë plagosur 140 fëmijë, ndërsa në Kiev, 116. Po ashtu, për shkak të bombardimeve të vazhdueshme të forcave të armatosura ruse, 1 mijë e 772 institucione arsimore u dëmtuan. 161 prej tyre u shkatërruan plotësisht.