Bota

Macron: Irani nuk dha përgjigje proporcionale ndaj Izraelit!

Presidenti francez, Emmanuel Macron shpreson për një armëpushim gjatë Lojërave Olimpike, të planifikuara të mbahen në Paris nga 26 korriku deri më 11 gusht, ndërsa vijojnë luftërat në Ukrainë dhe Gaza. Në një intervistë për Rmc dhe Bfmtv, u shpreh:

Ne do të punojmë për një armëpushim olimpik. Do t’i kërkoj presidentit kinez, Xi Jinping që të më ndihmojë për këtë çështje.

Në sulmet e Iranit kundër Izraelit, Franca kreu “përgjime” (të dronëve dhe raketave) me kërkesë të Jordanisë.

Macron akuzoi Iranin se “ka vendosur të godasë Izraelin”, duke shkaktuar “një çarje të thellë”.

Ne do të bëjmë gjithçka për të shmangur një përshkallëzim në Lindjen e Mesme.

Shefi i Elizesë, Emmanuel Macron tha se Irani u përgjigj “në mënyrë disproporcionale” për sulmin ndaj konsullatës së tij në Damask.

Ne kemi dënuar, kemi ndërhyrë e do të bëjmë gjithçka për të shmangur një zjarr dhe një përshkallëzim. Ne duhet të izolojmë Iranin, të rrisim sanksionet e të gjejmë një rrugë drejt paqes në rajon.

Po në Lindjen e Mesme, në një tjetër zhvillim, si pjesë e negociatave jo të drejtpërdrejta në luftën e Gazës, organizata radikale palestineze Hamas u ka paraqitur ndërmjetësuesve një kundërpropozim për lirimin e pengjeve të rrëmbyer 7 tetorin e kaluar në Izrael.

Kjo do të përfshinte vetëm lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite, si dhe një tërheqje graduale të trupave izraelite nga Rripi i Gazës pas një armëpushimi 42-ditor, raportoi “Haaretz” duke cituar burime palestineze e arabe.

Hamasi ka mohuar më parë një propozim kompromisi të SHBA-ve për lirimin e 40 pengjeve në këmbim të 900 të burgosurve palestinezë gjatë një armëpushimi 6-javor.

Sipas “Haaretz”-it, kundërpropozimi i Hamasit kërkon që ushtria izraelite të ndërpresë luftimet në një fazë fillestare 6-javore e të tërhiqet nga qendrat urbane. Në të njëjtën kohë, palestinezët e zhvendosur do të lejohen të kthehen në Rripin verior të Gazës.

Gjatë kësaj periudhe, Hamasi do të kërkojë që lirohen të gjithë pengjet në zonën e pushtuar e do të zbulojë se në çfarë kushtesh ndodhen. Në një fazë të dytë, ushtria izraelite duhet të tërhiqet në territorin e Izraelit. Vetëm atëherë do të fillonte shkëmbimi i pengjeve izraelite për të burgosurit palestinezë.