Rajoni

Mali i Zi goditet nga një tërmet tjetër, ja sa ishte magnituda…

Nuk ndalet aktiviteti sizmik në Malin e Zi pas tërmetit të fuqishëm të magnitudës 5.4 të shkallës Rihter që tronditi vendin fqinj mëngjesin e 14 marsit, pra dy ditë më parë dhe u ndje në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë e deri në veri të Hungarisë. Raportohet se një tjetër tërmet më pak i fortë u regjistrua sot herët në mëngjes, në Malin e Zi. Njoftimin e dha Qendra Evropiane Sizmologjike Mesdhetare (EMCS).

Lëkundja e magnitudës 3.6 e shkallës Rihter, sot u regjistrua në orën 06:11 minuta dhe sipas të dhënave të Qendrës Evropiane Sizmologjike Mesdhetare, epiqendra e saj ishte në afërsi të një komune të Nikshiqit, qytet qendror i Malit të Zi.

Tërmeti u ndje edhe në Bosnjë-Hercegovinë, ashtu si herën e kaluar. Ndërkaq, Departamenti i Sizmologjisë i Institutit për Hidrometeorologji dhe Sizmologji të Malit të Zi bëri të ditur se epiqendra u shënua në një thellësi prej 14 kilometrash. Nuk u raportua për dëme në njerëz apo materiale. Departamenti njoftoi se:

Bazuar në modelin numerik të ndryshimit të intensitetit me distancën në këtë rajon, magnitudën e tërmetit dhe thellësinë e hipoqendrës, ky tërmet nuk mund të shkaktojë dëme materiale në zonën epiqendrore.

Tërmeti i magnitudës 5.4 i shkallës Rihter i dy ditëve më parë, shkaktoi dëme materiale në Malin e Zi, ku pati raportime për rrëshqitje dherash, si dhe çarje në muret e banesave. Epiqendrën e kishte në Çarodja, pranë kufirit të Malit të Zi me Bosnjë-Hercegovinën e pasuan më shumë se 30 lëkundje më të vogla.

Sizmologu Rrapo Ormëni u shpreh se nuk rrezikohemi dhe nuk ka vend për panik. Te ne, lëkundjet u ndjenë 3 deri 4 ballë. Ky tërmet u shoqërua me mbi 35 pasgoditje dhe cilësohej vetëm i ndjeshëm, jo i frikshëm.

Gati saktësisht 45 vjet më parë, më 15 prill 1979, Mali i Zi u godit nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7 sipas shkallës Rihter. Epiqendra e tij ka qenë në Detin Adriatik në zonën mes Ulqinit dhe Tivarit, rreth 15 kilometra nga bregdeti. Në atë kohë humbën jetën 101 persona në Malin e Zi, si dhe u godit rëndë vendi ynë pasi u raportuan 35 viktima në Shqipëri, ndërsa mbi 100 mijë vetë mbetën të pastrehë.