Aktualitet

Nis “Maratona e Tiranës”, garë e muzikë, si dhe bllokim rrugësh deri në orën 17:00!

Nis zyrtarisht Maratona e Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj falenderoi pjesëmarrësit.

Faleminderit që keni mbushur Tiranën plot me gëzim, falënderoj sidomos ata 1000 vetë që kanë ardhur nga 35 shtete të ndryshme, duke filluar nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Presheva. Ne jemi zyrtarisht të hapur dhe rikthimi i maratonës pas viteve mungesë është ndoshta shenja më e bukur e një Tirane që do i rikthehet normalitetit e jetës aktive. Sot vrapohet edhe për kauza të rëndësishme si ajo e “Run with refugees”, për të treguar që jemi një qytet i hapur.

Në këtë edicion të 5-të, maratona shënohet me një sërë aktivitetesh të organizuara nga Bashkia Tiranë e pashmangshmërisht, shoqërohet me bllokim të rrugëve kryesore. Në një mënyrë, kjo mund të konsiderohet edhe si një ditë pa makina.

Për të siguruar mbarëvajtjen e aktiviteteve, në orarin 07:00 me 17:00, ndalohet lëvizja nga Sheshi “Nënë Tereza” te Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe te rrugët  “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II”, “Ismail Qemali”, e Elbasanit, “George W. Bush” e “Abdi Toptani”. Po ashtu, në bulevardet “Zogu I”, “i Riu”, “Zhan D’Ark” e “Bajram Curri” dhe më tej në rrugët “Ded Gjo Luli”, e Durrësit, e Kavajës, “Myslym Shyri” e “Ibrahim Rugova”.

 

Në kryeqytet, bie në sy prania e shtuar policore pranë rrugëve ku ndalohet lëvizja e automjeteve, si dhe vendosja e shiritave e barrierave për të mos lejuar qarkullimin e makinave, me përjashtim të atyre të emergjencave e të Policisë së Shtetit. Përveç garës sportive që bën bashkë 2.500 vrapues nga vende të ndryshme të botës, sportistë amatorë e profesionistë, sot janë organizuar edhe 7 koncerte në Tiranë.

Gara e vrapimit ndahet në 4 kategori: “Marathon” do të jetë 42.1 kilometra, “Half Marathon” me gjatësi 21 kilometra dhe “Tirana 10K” e “We Too” që më shumë se motivuese janë konkurruese. Fituesit sipas këtyre kategorive, vlerësohen me çmime që variojnë nga 300 në 5 mijë euro.

“Maratona e Tiranës” u parapri dje nga gara “Fun Run” me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të gjimnazeve. Ata vrapuan nga Sheshi “Nënë Tereza”  deri te ai “Skënderbej”, ku u ndanë çmimet për fituesit.

Për vajza, “Fun Run” u fitua nga Alesia Dauti, ndërsa në vend të dytë e të tretë dolën Ema Fataj dhe Irena Xhaja. Nga djemtë, i pari doli Edi Devole, në vend të dytë Hajrulla Tola e në të tretin, Parid Hoxha.