Aktualitet

“Marrëveshja me Italinë mund të negociohej me autorizimin e kryeministrit”, Kushtetuesja zbardh vendimin për paktin e emigrantëve. Bie masa e pezullimit!

Marrëveshja Meloni-Rama për strehimin e emigrantëve në Shqipëri mbetet në fuqi.

Gjykata Kushtetuese vendosi që protokolli mes Italisë dhe Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit është në pajtim me Kushtetutën e Shqipërisë si dhe i njeh kryeministrit Edi Rama të drejtën e negocimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes.

Marrëveshja, vlerësojnë gjyqtarët, nuk cakton kufij territorial dhe është e zbatueshme e drejta shqiptare, duke vepruar për të drejtat e liritë e emigrantëve një juridiksion i dyfishtë. Me këtë vendimmarrje, 36 mijë refugjatë pritet të akomodohen në veri të Shqipërisë përgjatë një viti, pasi të ngrihen kampet e strehimit.

“Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se Protokolli për migracion nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre që parashikohen nga rendi juridik shqiptar”.

Gjatë tre seancave shqyrtimi dhe pezullimit të ratifikimit në Parlament, këtë të hënë të 29 janarit, Gjykata Kushtetuese mori vendimin përfundimtar për të lejuar zbatimin e negociatave, mes Shqipërisë dhe Italisë.

Vendim për pritjen e refugjatëve në dy kampe që parashikohen të ndërtohen në Gjadër të Lezhës, teksa porti i zbarkimit është Shëngjini. Marrëveshja e firmosur më 6 nëntor, mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Georgia Meloni pati kundërshti të forta, teksa qeveria u mbrojt në Gjykatën Kushtetuese, në cilësinë e provës me Traktatin e Miqësisë të vitit 1995.

Ndërsa opozita kishte dorëzuar si kundërpërgjigje një analizë me argumenta, ku arsyetonte se traktati i 29 viteve më parë i dy shteteve nuk përfshinte emigrantët e vendeve të treta. Si dokument mbështetës, avokatët e PD paraqitën si provë edhe raportin e organizatës Amnesty International, që rendit shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Mirëpo, ditën e sotme Gjykata Kushtetuese gjykoi të jetë pro protokollit Shqipëri-Itali.