Bota

Masakra në Çeki, konfirmohet se janë 13 viktima/Nuk ka të huaj mes tyre!

Ministri i Brendshëm i Çekisë, Vit Rakusan konfirmoi se policia i ka identifikuar 13 personat e vrarë nga një student i armatosur dje në Pragë dhe shtoi se nuk ka të huaj në mesin e tyre. Por, sa iu përket mbi 20 të plagosurve, bëhet e ditur se janë dy shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe një i Holandës.

Janë 13 të vrarë nga i agresori i çmendur.

Fakulteti i Arteve i Universitetit të Karlit, ku agresori qëlloi me breshëri plumbash gjendet në zemër të Pragës historike, vetëm pak minuta në këmbë nga sheshi i Qytetit të Vjetër në njërën anë dhe nga Ura ikonë e Karlit, në anën tjetër. Zona është atraksion turistik, me mijëra vizitorë që shijojnë tregjet e njohura të Krishtlindjes.

Të dyshuarin, policia çeke e identifikoi si 24 vjeç, student në Fakultetin e Arteve dhe e eliminoi. Sipas shefit të policisë, Martin Vondrashek, ai kishte leje dhe mbante armë të tilla.

Për të shtënat vdekjeprurëse në Fakultetin e Arteve, ende nuk është i qartë motivi. Policia ka informacione të pakonfirmuara se i dyshuari, i identifikuar nga mediat si David K, u frymëzua nga një ngjarje e ngjashme në Rusi, por nuk dha detaje të tjera.

Sulmi ishte më fatali në historinë moderne të Çekisë. Në dhjetor të vitit 2019, një sulm me armë në një spital të qytetit të Ostravës la të vrarë gjashtë vetë, përpara se agresori t’i jepte fund jetës. Më herët në vite, në shkurt 2015, një person hapi zjarr në një restorant në qytetin Uherski Brod, ku u vranë 8 persona.

Të shtënat në një kampus universiteti në Çeki nuk ka patur më parë. Pamje të njerëzve që hidheshin nga pjesa e jashtme e ndërtesës në katet lart për të shpëtuar nga sulmi do të mbeten gjatë në kujtesën çeke. Të tjerë vareshin në dritare.

Më herët, autoritetet kishin raportuar për 14 viktima në universitet. Policia beson se agresori, i cili u ekzekutua vrau dhe babanë e tij para se të kryente masakrën. Autoritetet shpallën të shtunën e 23 dhjetorit ditë zie në Çeki. Me flamujt që do të ulen në gjysmështizë dhe këmbanat që do të bien në të gjithë vendin do të nderohen e kujtohen të vrarët.