Aktualitet

Mbetën të bllokuar në kanionin e Gjipesë, shpëtohen pas pesë orë kërkimesh dy turistë belgë!

Dy turistë belgë janë shpëtuar pasi mbetën të bllokuar në kanionin e Gjipesë.

Mbrëmjen e djeshme policia mori informacionin se dy turistët duke eksploruar kanionin e Gjipesë, mbetën të bllokuar në një terren shumë të vështirë dhe të rrezikshëm, ku kishin të pamundur të dilnin.

Pas pesë orë kërkimesh, u bë e mundur gjetja e tyre të cilët ishin në gjendje të mirë shëndetësore.

“Lokalizohen dhe nxirren nga kanioni, pas 5 orësh kërkimesh në një terren shumë të vështirë dhe të rrezikshëm, të dy turistët në gjendje të mirë shëndetësore. Mbrëmjen e djeshme, shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi morën njoftim se 2 turistë belg, duke eksploruar kanionin e Gjipesë, Himarë, kishin mbetur të bllokuar për shkak të terrenit të vështirë dhe e kishin të pamundur të dilnin nga kanioni.

Menjëherë pas njoftimit, në drejtim të kanionit janë nisur shërbimet e Policisë, së bashku me shërbimet zjarrfikëse. Si rezultat i kërkimeve, u bë i mundur lokalizimi dhe nxjerrja nga kanioni, e 2 turistëve, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Policia e Vlorës vijon të jetë maksimalisht e angazhuar për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin vendin tonë, gjatë gjithë vitit”, njofton policia.