Aktualitet

Mbi 33 mijë fermerë kanë përfituar kartën e naftës pa taksa!

Ndërsa nga Skema Kombëtare 2023, AZHBR vazhdon mbështetjen e fermerëve me naftë pa taksa për punimet e mekanizuara në bujqësi, mbi 33 mijë fermerë kanë përfituar deri në fund të korrikut. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca:

Ndërkohë që ne kemi rritje të mëtejshme të eksporteve bujqësore, deri në datën 31 korrik, 33,462 fermerë janë pajisur me kartën e naftës për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, një proces që vijon paralelisht me furnizimin e tyre me naftë pa taksa nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2023.

Përmes kësaj mase, fermerët përfitojnë ulje të kostove të punimeve, duke ndikuar në rritjen e prodhimit. Mesatarisht, ata përfitojnë 70-100 litra naftë pa taksa, për çdo hektar tokë të mbjellë e në varësi të kulturave bujqësore. Ministrja informoi se sasia e naftës së përcaktuar mund të tërhiqet deri në datën 31 dhjetor 2023, pra deri në fund të vitit.

Prej tre vitesh, qeveria shqiptare po zbaton skemën mbështetëse të naftës pa taksa për bujqësinë, duke lehtësuar buxhetet e fermerëve në punët e bujqësisë.

Buxheti adresuar kësaj skeme ka ardhur në rritje, ndërsa është rritur dhe interesi i fermerëve për të përfituar nga kjo masë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, numri i aplikantëve në skemën e naftës pa taksa për bujqësinë, këtë vit është më shumë se dyfish krahasuar me 2022-shin.

Ministrja Frida Krifca:

Ne kemi përgjegjësinë që t’iu përgjigjemi me profesionalizëm, korrektesë e shpejtësi maksimale për të zbatuar të gjithë procedurat dhe lëvruar fondet sa më parë tek fermerët.

Skemën e naftës, ekspertët e vlerësojnë si mbështetjen më të madhe që i është dhënë ndonjëherë fermerëve nëpërmjet skemës kombëtare.

Krifca bëri të ditur se interesi i fermerëve për të përfituar nga Skema Kombëtare është tejet i lartë dhe kjo falë mbështetjes financiare për këtë sektor, që ka qenë çdo vit në dispozicion të tyre.