Aktualitet

Më 15 tetor pritet të jetë gati Spitali Infektiv në QSUT!

Më 15 tetor pritet të përfundojë rindërtimi dhe zgjerimi i Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Më shumë se 70% e punimeve kanë mbaruar. Infektivi ka një kapacitet të ri prej 118 shtretërish e dyfishim të ambienteve të reanimacionit. Kryeministri Edi Rama tha se “ky spital do të bëhet qendër reference kombëtare ekselence për sëmundjet infektive, me kushtet dhe standardet më të larta ndërkombëtare, për t’iu përgjigjur çdo emergjence të shëndetit publik”.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu shpjegoi:

Kemi dyfishuar kapacitetet e reanimacionit nga katër në tetë shtretër duke krijuar dy ambiente. Pra, janë organizuar ambientet në mënyrë të atillë që të përgjigjen për emergjenca të ndryshme të shëndetit. Ky është standardi më i lartë ku nuk besojmë që për nga pikëpamja e cilësisë të ketë asnjë problem për vitet në vijim. Çdo hapësirë është llogaritur që t’i përshtatet tipologjisë së Spitalit Infektiv dhe padyshim dhe kërkesave të mjekëve e studentëve.

Spitali Infektiv do të jetë i pajisur me çdo sistem teknologjik të fjalës së fundit si dhe me auditor e salla leksioni për studentët e mjekësisë. Investimi me vlerë prej 5.6 milion eurosh konsiston në rikonstruksionin dhe zgjerimin e kapaciteteve të Spitalit Infektiv në QSUT. Ky investim vjen në kuadër të fuqizimit të kapaciteteve në sistemin spitalor dhe veçanërisht në përgjigje të fuqizimit të kapaciteteve për shërbimet spitalore për sëmundjet infektive dhe Planin e Masave 2021-2022 për përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19.

Kapaciteti i plotë i këtij spitali do të jetë 118 shtretër. Projektimi i dhomave të pacientëve është me presion ajri negativ për të mos lejuar qarkullimin e sëmundjeve infektive nga dhoma në ambientet e përbashkëta. Projekti parashikon dyfishim të kapaciteteve të reanimacionit dhe shtim të kapaciteteve do të ketë dhe në repartin e urgjencës.