Aktualitet

Zjarri në QSUT, ministrja Koçiu te Shëndetësia: Defekt teknik/ Brenda majit, Urgjenca i kthehet funksionit!

Mbi dy muaj pas zjarrit të 11 shkurtit në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, sot në Komisionin e Shëndetësisë raportoi ministrja Albana Koçiu, e cila u shpreh se po punohet për të kthyer shërbimin brenda muajit maj.

Sa i përket incidentit, pa dashur të normalizoj e t’i jap më shumë rëndësi se dihet, është në hetim nga prokuroria, por nga të dhënat paraprake nga grupi i punës mund të konfirmoj se bëhet fjalë për një defekt teknik të ndodhur nga dhomat teknike ku ka patur djegie të kabujve elektrike, pa dëmtuar pajisjet biomjeksore të spitalit. Sot që flasim, në QSUT vijon normalisht puna dhe i vetmi shërbim që është zhvendosur është urgjenca kardiake dhe ajo e sëmundjeve të brendshme.

Kjo falë protokolleve të ndjekura e standardeve në ndërtim. Janë zhvilluar procedurat për ta rikthyer këtë shërbim në gjendje pune. Kompania ka nisur punën për rehabilitimin, punimet pritet të përfundojnë brenda muajit maj për ta rikthyer shërbimin.

Dua të përgjigjem për disa akuza të pavërteta. QSUT-ja është fytyra e vërtetë e transformimit të këtij spitali, siç është spitali i Sëmundjeve të Brendshme. Nuk është vetëm QSUT-ja. Incidenti për të cilin jemi thirrur sot, tregoi se standardet dhe profesionalizmi janë të njëjta si në të gjithë vendin.

Të gjitha spitalet janë të afta sot të përballojnë fluksin e shërbimeve për të cilat Urgjenca e QSUT-së nuk mund të japë shërbim. Deri pak vite më parë, diçka e tillë do të ishte e pamendueshme dhe ky incident do ta fuste në kolaps sistemin shëndetësor. Kjo nuk është situata sot.

Deputetja demokrate, Oriola Pampuri pyeti ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu lidhur me dy koncesionet, të Check Up-it e Sterilizimit, nën hetim nga SPAK-u e që për to është ngritur edhe një komision hetimor parlamentar. Pampuri pyeti nëse po alokohen fonde nga Buxheti i Shtetit për dy koncesionet dhe se si po shkon puna me dy koncesionet e tjera, Dializën e Laboratorët Mjekësorë, për të cilat Rithemelimi hoqi dorë nga hetimi parlamentar.

Por, nga maxhoranca, deputeti socialist Pendavinji kërkoi:

Të mos shfokusohemi përse jemi mbledhur. Ato pyetje që s’kanë lidhje, ministrja mund të mos i japë përgjigje se janë jashtë rendit të ditës.