Rajoni

Më 23 mars, Kurti raporton në Kuvendin e Kosovës për dakordësinë me Vuçiçin!

Të enjten më 23 mars, kryeministri Albin Kurti do të raportojë para deputetëve në Kuvendin e Kosovës për takimin me presidentin serb, Aleksander Vuçiç në Ohër të Maqedonisë së Veriut të ndërmjetësuar nga BE. Kjo u bë e ditur nga shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila:

Paraprakisht do të hidhen për votim tri marrëveshjet ndërkombëtare e pastaj, njoftimi i kryeministrit Kurti për takimin në Ohër.

Në takimin e 18 marsit, palët arritën dakordësi mbi Aneksin për Zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve, akord i bërë publik më 27 shkurt.

Lidhur me bisedimet në Ohër, Kusari-Lila tha se pati dakordësi në parim dhe mbetet të shihet plani e vazhdimi i procesit.

Ajo që dua të them është se do të varet shumë nga qasja e ndërmjetësit, për shkak se garantuesit kryesorë, në mungesë të nënshkrimit nga ana e Serbisë, mbeten BE-ja e SHBA-të. Këto pika të marrëveshjes do të jenë pjesë e Kapitullit 35 për Serbinë në procesin e integrimit, gjë që nëse nuk zbatohet do të ndalte komplet procesin e integrimit të Serbisë. Kjo është garancia e vetme për Kosovën, qasja dhe sanksionet ndërkombëtare në raport me procesin e integrimit. Përderisa është tepër me rëndësi avancimi i procesit të integrimit për Kosovën.

Opozita ka vërejtje serioze, lidhur me marrëveshjen e Ohrit. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra:

Natyrisht, ka shqetësim serioz me kompetencat që i jepen komunitetit serb në Republikën e Kosovës. Kryeministri dje kishte lojë fjalësh se çka quajmë vetëmenaxhim e vetadministrim, tha se ka një dallim mes vetëmenaxhimit e vetadministrimit.

Edhe deputeti tjetër nga opozita, Armend Zemaj nga LDK, vlerëson se marrëveshja e arritur është në kundërshtim të plotë me synimet e Kosovës për integrimin e të gjitha komuniteteve sipas Kushtetutës.

Takimi i Ohrit shpërfaqi mashtrimin 15-vjeçar të kryeministrit apo të kauzave të rreme të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti. Kjo që është parë, neve do të na kushtojë shumë në kuptimin e përgjegjësive, të cilat janë marrë.