Aktualitet

Me pistoletë në makinë, arrestohet në flagrancë 43-vjeçari në Vorë!

Qarkullonte me automjet i armatosur, pranga në Vorë, një 43-vjeçari me banim në Shkodër. Në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, blutë e Tiranës finalizuan operacionin e koduar “Van”. Nga informacionet zyrtare, i prangosuri rezulton i dënuar më parë për vepra penale kundër jetës dhe personit. Policia i sekuestroi pistoletën që mbante me vete ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Njoftimi zyrtar i policisë:

Seksioni i Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 7, në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, finalizoi operacionin e koduar “Van”. Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi B. Gj., 43-vjeç, banues në Shkodër, i dënuar më parë për vepra penale kundër jetës dhe personit, që qarkullonte me automjet i armatosur.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, me krëhër e municion luftarak, që 43-vjeçari posedonte.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.