Bota

“Mendoja se do të vdisja”/ Autori Salman Rushdie tregon detajet rrënqethëse nga plagosja e tij në skenë: Humbja e syrit më mërzit çdo ditë

Novelisti britanik Sir Salman Rushdie ka folur me detaje rrëqethëse për BBC për atë që kujton nga sulmi i dy viteve më parë, në të cilin u godit me thikë në skenë. Autori fitues i çmimit ‘Booker’ tha se syri i tij mbeti i varur poshtë fytyrës si një vezë e zier dhe se humbja e syrit e mërzit atë çdo ditë.

“Më kujtohet kur mendoja se po vdisja. Për fat të mirë, gabova”, tha ai.

Sir Salman tha se ai po përdor librin e tij të ri, Knife, si një mënyrë për të luftuar kundër asaj që ndodhi. Sulmi ndodhi në një institut arsimor në shtetin e New Yorkut në gusht 2022, teksa ai po përgatitej të jepte një leksion. Ai kujtoi sesi sulmuesi erdhi “duke ngjitur shkallët me shpejtësi” dhe e goditi me thikë 12 herë në qafë dhe në bark, në një sulm që zgjati 27 sekonda. Ai u dërgua në një spital me helikopter dhe kaloi gjashtë javë duke u rikuperuar atje.

Autori britaniko-amerikan me origjinë indiane, 76 vjeç, është një nga shkrimtarët më me ndikim të kohëve moderne. Sulmi dominoi titujt e lajmeve anembanë botës. Sir Salman më parë kaloi disa vite i fshehur pasi botimi i Vargjeve Satanike në vitin 1988 shkaktoi kërcënime kundër jetës së tij.

Sulmi dëmtoi mëlçinë dhe duart e Sir Salmanit dhe i preu nervat në syrin e djathtë. Ai zbulon se duhet të tregojë më shumë kujdes kur ecën poshtë shkallëve, ose kalon një rrugë, apo edhe kur hedh ujë në një gotë. Por ai e konsideron veten me fat që ka shmangur dëmtimin e trurit. Për herë të parë, Sir Salman ka zbuluar se çfarë do të dëshironte t’i thoshte sulmuesit të tij të dyshuar.

Hadi Matar, një 26-vjeçar, banor i New Jerseyt, është akuzuar për plagosjen me thikë.  Sir Salman nuk e ka takuar kurrë zotin Matar. Por ai ka të ngjarë të dalë ballë për ballë me të në gjykatë kur të fillojë gjyqi. Udhëheqësi i atëhershëm i Iranit Ayatollah Ruhollah Khomeini lëshoi një fetva (dekret fetar) në vitin 1989, duke bërë thirrje për vrasjen e Rushdie dhe duke vendosur një shpërblim prej 3 milion dollarësh (2.4 milion £) në kokën e autorit. Ajo fetva nuk është anuluar kurrë.

Si rezultat, Rushdie u detyrua të fshihej për gati një dekadë dhe kërkoi një truproje të armatosur për shkak të numrit të kërcënimeve me vdekje që mori. Sir Salman, i cili ka lindur nga muslimanë jo-praktikues dhe është ateist, ka qenë prej kohësh një avokat i zëshëm për lirinë e shprehjes.

“Unë nuk dua një jetë të kufizuar. Unë do të kem jetën time,” tha ai.