Auto & Moto Sport

“Mercedes” zbulon makinën e re të F1!

“Mercedes” zbulon makinën e re për sezonin 2021 të Formulës 1 ndërsa për të 8-ën herë radhazi ndjek titullin botëror të prodhuesit. “W12” mban ngjyrën speciale të zezë, e ndryshuar nga ajo e argjendtë, para fillimit të sezonit 2020 për të mbështetur luftën për diversitetin e kundër racizmit.

Makina e re me pilotë Lewis Hamilton e Valtteri Bottas, mbart pjesën më të madhe të teknologjisë së sezonit të kaluar. “Mercedes” ka dominuar garat në Formula 1 që nga kalimi në motorë hibridë në 2014-ën. Këtë sezon, Hamilton ndjek një rekord të tetë për titullin e pilotëve pasi barazoi atë të Michael Schumacher-it vitin e kaluar.

“Mercedes-AMG F1 W12 E Performance”  ose  “W12”  quhet makina e re.  Etiketimi ‘E Performance’ është një etiketë e re që Mercedes po përdor për të gjitha makinat e saj të ardhshme hibride Mercedes-AMG ndërsa përparon me teknologjinë.

“W12” do të drejtojë të njëjtën shasi bazë si sezonin e kaluar, por përmban një mori aktualizimesh aerodinamike  në një përpjekje për të përballuar sfidën e rregullave të reja që synojnë ngadalësimin e makinave.