Aktualitet

Miliona euro nga droga në Itali, Zvicër, Shqipëri/16 shqiptarë mes 24 të arrestuarve!

Italia i dha goditje një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, grabitjeve, zhvatjes e shfrytëzimit të prostitucionit, duke arrestuar 24 persona, mes të cilëve 16 shqiptarë. Sot operacioni antimafia filloi në Milano dhe u shtri deri në Kozenca.  Rrjeti vepronte edhe në Shqipëri e Zvicër, përveçse në territorin italian. Po ashtu u arrestuan pesë marokenë, dy italianë dhe një shtetas tunizian.

Gjithashtu u kryen 40 kontrolle e dyshohet se fitimet ishin në vlerë miliona euro. Operacioni i kërkuar nga Drejtoria Antimafia e Milanos dhe i urdhëruar nga një gjyqtar i Gjykatës së Milanos, mendohet se është një goditje e rëndë për rrjetin e trafikut të drogës, që niste në Shqipëri dhe destinacion kishte tregtimin e drogës në Zvicër e po ashtu në Itali. Nuk është rastësi që disa nga zonat ku u kryen arrestimet janë pranë kufirit me Zvicrën.

Ndër akuzat ndaj të arrestuarve janë pjesëmarrja në organizata kriminale që synojnë trafikun ndërkombëtar të drogës, grabitjen dhe zhvatjen, ndihmën e shfrytëzimin e prostitucionit.

Ja si u ra në gjurmët e rrjetit pas arrestimit të një italiani me 6 kg heroinë në Zvicër

Operacioni është rezultat i një aktiviteti të detajuar hetimor të nisur në prill të vitit 2020 nga Njësia e Hetimit në Milano, pas një letër-porosie ndërkombëtare nga arrestimi në flagrancë në Zvicër i një italiani. Ky i fundit u kap teksa transportonte me makinë 6 kilogramë heroinë.

Në bashkëpunim me autoritetin gjyqësor zviceran, hetimet kanë bërë të mundur zbërthimin e të gjithë strukturës dhe funksionimit të dy organizatave kriminale në biznes me njëra-tjetrën e të kryesuara nga po dy familje shqiptare.

U goditën grupe me lidhje operacionale në Shqipëri, me baza logjistike në Milano, si dhe me degë në të gjithë Italinë e Veriut, veçanërisht në provinca të Monzas, Brianzas e Bergamos. Por, gjithashtu ishin vendosur në Kalabri dhe padyshim në disa zona të Zvicrës.