Aktualitet

Ministri grek për çështjen e kufijve: Hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve!

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias tha se Greqia dhe Shqipëria me vendimin për të referuar caktimin e kufijve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet e tyre bilaterale

Ky vendim është shembullor në atë se si çështjet e rëndësishme mund të zgjidhen kur të dy palët janë përqendruar në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, tha Nikos Dendias në mesazhin e tij.

Dendias mori pjesë në një organizim të zhvilluar online nga ELIAMEP në bashkëpunim me Fondacionin e Shoqërisë së Hapur Shqipëri (OSFA) mbi marrëdhëniet Greko-Shqiptare.

Në nisje të fjalës së tij, Dendias përmendi lidhjet historike midis Greqisë dhe Shqipërisë, si dhe kontributin e Minoritetit Kombëtar Grek, po ashtu edhe atë të shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe prosperojnë në Greqi, në krijimin e një ure të qëndrueshme miqësie midis dy vendeve.

Ministri i Jashtëm përsëriti gjithashtu se Greqia mbështet perspektivën Evropiane të Shqipërisë, ndërsa përmendi gjithashtu dhurimin e 20,000 vaksinave për të trajtuar COVID-19.