Aktualitet

Ministria e Shëndetësisë: Më shumë se 10.000 persona kanë humbur jetën në Gaza!

Raporti i fundit i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, zbulon se numri i palestinezëve të vrarë në Gaza që kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor ka tejkaluar 10,000.

Ashraf Al Qudra, zëdhënës i ministrisë, tha se 10,022 palestinezë në enklavë ishin vrarë nga sulmet izraelite, duke përfshirë 4,104 fëmijë, 2,641 gra dhe 611 të moshuar. Këto shifra sugjerojnë se rreth tre të katërtat e të vdekurve janë nga popullata vulnerabël, shkruan CNN.

Ministria raportoi se 25,408 persona të tjerë janë plagosur.

Shifrat e publikuara më 6 nëntor paraqesin luftimet më vdekjeprurëse që nga themelimi i Izraelit 75 vjet më parë.

Shumica e viktimave besohet se janë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite, edhe pse Izraeli ka thënë se mbi 500 raketa të lëshuara nga militantët palestinezë kanë rënë brenda Gazës.

Palestinezët ndërkaq kanë varrosur dhjetëra persona të vrarë një ditë më parë në sulmet izraelite në jug, pjesën ku autoritetet izraelite kanë urdhëruar banorët e Gazës që të evakuohen, edhe pse Izraeli po sulmon caqe në gjithë enklavën.

Trupat izraelite e kanë ndarë Rripin e Gazës në dy pjesë dhe i kanë vazhduar bombardimet e pareshtura të dielën mbrëma, tha zëdhënësi i Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), Daniel Hagari.

Hagari tha se trupat izraelite arritën në vijën bregdetare duke e ndarë enklavën në “Gazën veriore dhe në Gazën jugore”.

Qyteti i Gazës, më i madhi në këtë territor, është tani plotësisht i rrethuar, shtoi ai.

“Ne do të vazhdojmë ta lejojmë një korridor në mënyrë që banorët e Gazës veriore dhe Qytetit të Gazës të zhvendosen drejt jugut. Ky është korridor njëdrejtimësh drejt jugut”, theksoi ai.

Kryqi i Kuq Palestinez tha se “kjo është hera e tretë” që ndërpriten këto shërbime në Gazë prej fillimit të luftës dhe se e ka humbur kontaktin me ekipet e veta si pasojë.

Lufta Izrael-Palestinë

Izraeli i shpalli luftë Hamasit pasi grupi militant islamik filloi një sulm brutal më 7 tetor, duke vrarë 1400 në Izrael dhe duke rrëmbyer më shumë se 240. Izraeli u hakmor duke nisur një ofensivë ajrore dhe tokësore në Gaza, duke u zotuar të eliminojë grupin militant.  Mijëra më shumë palestinezë janë vrarë në Gaza në muajin e fundit sesa ata që vdiqën në konfliktet me Izraelin gjatë 15 viteve të fundit. Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut tha se sulmet javën e kaluar në kampin më të madh të refugjatëve në Gaza mund të përbëjnë krime lufte duke pasur parasysh shkallën e viktimave dhe shkatërrimeve.