Aktualitet

Moti i keq, Peleshi: Problematika në aksin Bogë-Qafë Thorë, Zhulat dhe Lazarat/ ARRSH apel shoferëve: Pajisuni me goma dimërore

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka reaguar mbi situatën nga moti i keq në vend. Me një postim në Facebook Peleshi shkruan se strukturat e pushtetit vendor po punojnë për të zhbllokuar akset Bogë-Qafë Thorë nga bora, ndërsa në Gjirokastër puna vijon në rrugën e Zhulatit dhe në Lazarat. Ai shton se prurjet e lumenjve janë brenda shtretërve të tyre.

Intensiteti i lartë i reshjeve të rëna gjatë orëve të fundit ka shtuar problematikat në disa zona të vendit. Strukturat e pushtetit vendor po punojnë për të zhbllokuar akset Bogë-Qafë Thorë nga bora, ndërsa në Gjirokastër puna vijon në rrugën e Zhlatit dhe në Lazarat. Aktualisht prurjet e lumenjve janë brenda shtretërve të tyre. Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë në gatishmëri për çdo nevojë nga ana e strukturave të pushtetit vendor.

ARRSH: ja si paraqitet situata në Qafë Mali-Fierzë

Autoriteti Rrugor Shqiptar u bën apel drejtuesve të mjeteve që udhëtojnë drejt vendeve të mbuluara nga dëbora që të pajisen me goma dimërore dhe të respektojë sinjalistikën rrugore duke reduktuar shpejtësinë.

ARRSH ka  publikuar foto nga situata në Qafë Mali-Fierzë ku thekson se po vijon puna për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës për të mos lejuar bllokimin e qarkullimit të mjeteve.

“Në Qafë Mali-Fierzë puna për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës për të mos lejuar bllokimin e qarkullimit të mjeteve ka vazhduar pa u ndalur Drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit, të respektojnë sinjalistikën të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore”, njofton ARRSH.