Aktualitet

Muzeu Historik Kombëtar njofton mbylljen për 4 vjet, ja arsyeja!

Muzeu Historik Kombëtar ka njoftuar se do të jetë i mbyllur nga data 15 mars 2024 deri më 15 mars 2028.

Mbyllja për vizitorët do të bëhet për shkak se Muzeu do t’i nënshtrohet restaurimit.

 Njoftimi i plotë:

Të nderuar drejtues të agjencive turistike, drejtues të tureve kulturore dhe palë të tjera të interesuara, ju bëjmë me dije se:

Në kuadër të zbatimit të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”, Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 Mars 2024 deri më datë 15 Mars 2028.

Ju falenderojmë për mirëkuptimin tuaj!

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Në datat 28 dhe 29 tetor, Muzeu Historik Kombëtar festoi 40-vjetorin e inaugurimit të tij. Aktualisht, Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Antikiteti, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 objekte kishtare liturgjike); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte e kështu me radhë.

Muzeu Historik Kombëtar është një institucion kërkimor shkencor. Përveç pavioneve, muzeu ka edhe ambiente arkivore dhe laboratorike, salla ekspozitash të përkohshme dhe salla konferencash.

Rëndësia e muzeut historik kombëtar

Muzetë Historikë Kombëtarë janë ndër drejtuesit më të rëndësishëm të interpretimit formal të historisë së një vendi, së bashku me sistemin e tij kombëtar të arsimit. Ato luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit të kombit, si dhe në përcjelljen e këtij vetë-imazhi tek vizitorët dhe bota e jashtme. Por muzetë ndryshojnë nga ajo që jep historia e shkruar, pasi për një muze gjuha e shprehjes janë objektet muzeale të ekspozuara, të shoqëruara me informacione për to.