Aktualitet

Ndërhyn policia e Vaut të Dejës, parandalohet një konflikt me armë zjarri!

Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë së Vaut të Dejës parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti për motive pronësie mes katër shtetasve, pjesëtarë të dy familjeve në fshatin Barbullush. Në pranga ra një shtetas 53-vjeçar, ndërsa u shpall në kërkim djali i tij. Dyshohet se ata kanosën me armë zjarri dy vëllezër.

Njoftimi policor: 

Pas njoftimit se katër shtetas po konfliktoheshin me njëri-tjetrin në fshatin Barbullush, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat e rastit. Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionale të këtyre specialistëve u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të këtij konflikti, si dhe arrestimi i shtetasit K. G., 53 vjeç, banues në fshatin Barbullush.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 53-vjeçari dhe djali i tij, shtetasi A. G., 27 vjeç, i cili u shpall në kërkim nga Policia, për shkak të një konflikti për motive pronësie, kanë kanosur me armë zjarri, shtetasit Gj.M., 37 vjeç, dhe Gj.M., 35 vjeç, vëllezër, të dy banues në Bushat.

Vijon puna për kapjen e shtetasit A. G.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.