Aktualitet

Ndërtesat pa leje do të konfiskohen për përdorim publik!

Qeveria shqiptare miratoi vendimin, i cili përcakton rregullat dhe procedurat që do të ndiqen për konfiskimin publik të objekteve të ndërtuara pa leje, me qëllim fitimin.  Gjatë një deklarate për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi se këto ndërtesa do të konfiskohen e do të shkojnë për përdorim publik.

Kohët e fundit është shtuar fenomeni i ndërtimit pa leje apo shtesave të kateve pa leje nga ana e ndërtuesve. Ndërtuesi merr leje për të ndërtuar 7 kate e ndërton 10 në fakt. Ndërtesat me këtë lloj specifike do të konfiskohen për përdorim publik. Do t’u jepen si kompensim qytetarëve që preken nga projektet publike, do të përdoren për fonde për shpronësim, ose do të shkojnë për familjet në nevojë apo për zyra për qeverinë. I gjithë qëllimi është dekurajimi i kompanive ndërtuese që të shkelin ligjin edhe duke qenë nën mbikëqyrjen e institucioneve.

Zv.kryeministrja paralajmëroi edhe nisjen e investigimit për ato institucione që kanë për detyrë kontrollin e territorit dhe kanë lejuar që ndërtimet të bëhen.

Ka pasur tolerancë nga institucionet, ndërsa për qytetarët që rregullojnë çatinë apo pllakat e oborrit, instancat ndërhyjnë menjëherë.

Sipas numrit dy të qeverisë, “ky do të jetë një proces i gjatë”.

Nuk do të ketë tolerancë për asnjë ndërtues që ka shkelur lejet dhe gjithçka do të kalojë në përfitim të popullit.

Më tej, Balluku informoi se përmes këtij vendimi, ndërtuesit i jepen këto mundësi:

Ndërtuesi do të ketë mundësinë e parapagimit të metrave katrorë që ka ndërtuar pa leje, ndërsa do të marrë edhe gjobë. Ndërtuesit i jepet mundësia të dhurojë këto metra katrorë, ose i konfiskohen siç e parashikon ligji dhe ai përballet dhe me çështjen penale, sipas parashikimit të ligjit.