Bota

Ndihma për Ukrainën ende në pikëpyetje, pavarësisht apelit të Zelenskyt në Uashington!

Duke folur në krah të Presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bradhë,  Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky  u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë  që të miratojnë 61 miliardë dollarë ndihmë për vendin, ndërsa Kievi vazhdon të luftojë kundër agresionit rus.

Presidenti amerikan dhe ai ukrainas thanë se pasojat do të jenë të tmerrshme nëse Ukraina nuk merr fondet që i duhen për të luftuar kundër agresionit rus, ndërsa dimri po afron.

Republikanët në Kongres vazhdojnë të kundërshtojnë miratimin e një ndihme të tillë. Të martën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u kërkoi ligjvënësve që të miratojnë kërkesën prej 61 miliardë dollarësh të presidentit Joe Biden deri në fund të javës.

Republikanët thonë se duan të sigurohen që fondet janë nën “mbikëqyrjen e duhur” dhe gjithashtu duan të shohin “një artikulim të qartë të strategjisë” të Ukrainës.

Presidenti Biden u zotua për mbështetjen e tij të vazhdueshme, ndërsa akuzoi republikanët se po ndihmojnë Moskën duke mos e miratuar ndihmën.

 “Drejtuesi i një emisioni televiziv që drejtohet nga Kremlini tha, ‘bravo republikanë. Kjo është mirë për ne”. Nëse merrni lëvdata nga propagandistët rusë atëherë mund të jetë koha për të rimenduar atë që po bëni. Historia do t’i gjykojë ashpër ata që i kthejnë shpinën kauzës së lirisë”, tha Presidenti Biden.

Zoti Zelensky vazhdoi të bënte thirrje për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe tha se kombi i tij nuk do të falë territor.

 “Unë do t’i pyesja këta njerëz nëse do të ishin të gatshëm t’i dorëzonin fëmijët e tyre te terroristët. Unë nuk mendoj se do të donin”, thotë zoti Zelensky.

Ministria e Jashtme e Rusisë akuzoi Presidentin Zelensky se është një kukull e Shteteve të Bashkuara.

Taksapaguesit amerikanë po tregojnë shenja lodhjeje në lidhje me situatën në Ukrainë dhe disa republikanë pyesin pse rreth një e treta e parave të SHBA-së nuk shfrytëzohen për armë, por për të ndihmuar qeverinë ukrainase.

John Jameson, aktivist për spastrimin e minave që vizitoi së fundmi vendin, tha se Ukraina ka nevojë për çdo qindarkë.

“Njerëzit që bëjnë çminimin po punonin ndërsa dëgjonim zhurmën e artilerisë që po vazhdonte. Ata po e bëjnë këtë sepse e dinë se është thelbësore që të jenë në gjendje të fillojnë mbjelljet dhe prodhimin tani në mënyrë që jo vetëm të luftojnë, por edhe të mund të jetojnë. Jo, ne nuk mund të presim derisa të mbarojnë luftimet”, thotë zoti Jameson.

Analistët thonë se lufta mund të zgjasë më shumë se një vit dhe shtrojnë pyetjen nëse Ukraina po merr mbështetjen e duhur, duke pasur parasysh arritjet e ushtris së saj të vogël përballë një armiku shumë më të madh.

“Ata janë bërë viktima të suksesit të tyre. Unë nuk mendoj se duhet të kërkojmë nga ukrainasit të bëjnë më shumë po të kemi parasysh ndihma e vogël ushtarake që ju jepet. Ata po marrin një sasi tepër të vogël municionesh, artilerie me rreze të gjatë veprimi dhe me preçizion të lartë, mbrojtjes ajrore.

Unë mendoj se ata po përdorin vërtet në mënyrë mbresëlënëse burimet shumë të kufizuara që u jepen, kundër një kundërshtari shumë më të madh”, thotë Dalibor Rohac, studiues në Institutin “Amerikan Enterprise”, ku studion ekonominë politike të Bashkimit Evropian dhe marrëdhëniet transatlantike.–VOA–