Aktualitet

Ndryshime ligjore për të mbrojtur blerësit online në Shqipëri!

Disa ndryshime në ligjin për tregtinë elektronike dhe atë online, të cilat forcojnë sigurinë e konsumatorit u miratuan sot nga Këshilli i Ministrave. Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dha detaje:

Vendimi që kaluam sot ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorëve, me disa saktësime që duhet të kenë kontratat e këtij lloj tregtimi, me qëllim që konsumatori kur blen një produkt apo shërbim online të jetë i mbrojtur. Konkretisht, vendimi ka të bëjë me saktësimin e periudhës së kthimit të mallrave, e cila është dy javë, nga dita që konsumatori merr mallin në shtëpi. Pra, konsumatori ka të drejtë 14 ditë, që ta kthejë mbrapsht këtë produkt.

Vendimi ka të bëjë edhe me shërbimet e pagesave.

Vitin e kaluar pati një ndryshim në ligjin e pagesave dhe përmes këtij projektvendimi saktësohet e ka një siguri më të lartë në shërbimin e pagesave të konsumatorit. Qeveria shqiptare është e angazhuar ndaj mbrojtjes së konsumatorit dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore, si ato që ofrohen nga vetë qeveria, por edhe nga privati.

E pyetur mbi bizneset online që nuk janë subjekte tatimore, Ibrahimaj theksoi se “ka një taskforcë që është ngritur dhe ka për qëllim identifikimin e subjekteve pa NIPT”.
Lidhur me pagesën e taksave nga këto subjekte, Ibrahimaj theksoi se “do të funksionojnë si biznes fizik”.

Ligji për taksat dhe tatimet i ka të parashikura të gjithë elementët, si me tregtinë fizike edhe me tregtinë online. Asgjë nuk ka ndryshuar në ligj. Kjo VKM shton sigurinë e konsumatorit dhe nuk përcakton ndryshim të taksave e tarifave. Bizneset kanë tarifat e tyre për transportin e shërbimin. Ato taksohen për qarkullimin dhe transaksionet. Nëse nuk e kalojnë fashën prej 14 milion lekësh nuk janë subjekte të tatim fitimit, nëse kanë qarkullim më të lartë, janë subjekte të tatim fitimit, si çdo subjekt tjetër.