Bota

Ndryshimet klimatike/ Temperatura ‘rekord’ në Hong Kong, kjo ishte vera më e nxehtë e regjistruar

Hong Kongu përjetoi verën më të nxehtë të regjistruar në ish-koloninë britanike këtë vit, temperaturat për herë të parë arriten nivele “rekord”, njoftoi sot qeveria e tij.

“Me mot jashtëzakonisht të nxehtë në qershor dhe korrik, Hong Kongu përjetoi verën e tij më të nxehtë të regjistruar nga qershori deri në gusht 2023”, thuhet në një deklaratë.

Nga India në Japoni dhe në Australi, rajoni Azi-Paqësor regjistroi një seri temperaturash rekord këtë verë, ashtu si edhe pjesë të tjera të botës, duke demonstruar edhe një herë ndryshimin e klimës në planet.

Hong Kongu muajin e kaluar kishte një temperaturë mesatare mujore prej 29.7 gradë Celsius, duke e bërë këtë gusht më të nxehtin në histori, sipas Observatorit të Hong Kongut.

Ky vit pati gjithashtu korrikun e tretë më të ngrohtë dhe qershorin e katërt më të ngrohtë që nga fillimi i regjistrimeve të temperaturave në 1884. Tre vitet më të ngrohta në historinë e Hong Kongut janë regjistruar që nga viti 2018.

Gushti i këtij viti ishte gjithashtu “shumë më i thatë se zakonisht me një reshje totale prej 140.7 mm”, shtoi Observatori i Hong Kongut.

Në fillim të verës, Pekini gjithashtu regjistroi një temperaturë rekord prej 41.1 gradë Celsius në një ditë qershori.

Shkencëtarët vërejnë se ngrohja globale, e cila është e lidhur me varësinë nga lëndët djegëse fosile, është përgjegjëse për rritjen e valëve të nxehtësisë në mbarë botën.