Aktualitet

Në luftë me zjarrin në Gjirokastër, asfiksohet ushtari i FA, dërgohet në spital në gjendje të rëndë!

Një ushtar i Forcave të Armatosura është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e Gjirokastrës, për shkak se u asfiksua si pasojë e tymit, ndërsa punonte për shuarjen e flakëve në fshatin Krinë, në njësinë Administrative Antigonë. Ndërkohë bëhet me dije se bashkëshortja e të ndjerit Andrea Haxhiaj, që humbi jetën nga zjarri, është dërguar me urgjencë drejt Tiranës, për shkak të djegieve të renda që ka marrë në trup.

Ndërkaq një helikopter ka mbërritur në Gjirokastër dhe po punon për shuarjen e flakëve që duket se kanë dalë jashtë kontrollit. Zjarret i janë afruar shtëpive, ndërsa ndërhyrja nga ajri pritet të ketë një ulje të intensitetit të flakëve.

Bëhet me dije se pavarësisht urdhrit të evakuimit, shumica e banorëve në fshatin Asim Zenel nuk kanë pranuar të largohen, por po ndihmojnë autoritetet për neutralizimin e flakëve.

Në aksionin për shuarjen e zjarreve në Lunxheri, janë aktivizuar 30 forca zjarrfikëse nga repartet zjarrfikëse të Gjirokastrës, Dropullit dhe Libohovës me pesë mjete zjarrfikëse. Njëkohësisht në këtë aksion janë angazhuar edhe 20 forca të ushtrisë, si dhe 20 punonjës të Bashkisë Gjirokastër të cilët kanë punuar për lokalizimin e flakëve me mjete rrethanore dhe në një terren të vështirë malor.

Përgjatë 14 orëve zjarret në këtë fshat kanë shkaktuar një bilanc të rënduar në djegien e kullotave dhe drurëve frutorë sidomos në fshatrat Qesarat, Dhoksat dhe Valare.

Bilanci i dëmeve rezulton i madh. Në bazë të përllogaritjeve ende jo të zyrtarizuara, në Lunxheri janë djegur 40 ha kullota dhe 500 rrënje arrore, dru frutore dhe vreshtari.

Në herët u vu nën kontroll zjarri në fshatin Palokastër në Bashkinë Gjirokastër ku u krijuan 2 vatra të rrezikshme që prej ditës së djeshme.