Bota

Zjarrfikësit spanjollë luftojnë flakët në pyjet e rajonit juglindor të Valencias!

Anomalia e temperaturave të ngrohta të parakohshme ka sjellë dje hapjen e një vatre të madhe zjarri që ka djegur disa qindra hektarë bimësi në lindje të Spanjës.

Më shumë se 100 njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre teksa dhjetra zjarrfikës po luftojnë me flakët që ndihmohen nga erërat dhe lagështira e ulët.

“Zjarri është ende aktiv pas një nate të vështirë për zjarrfikësit”, tha kreu i emergjencave të rajonit në rrjetin X, duke shtuar se rreth 200 hektarë tokë ishin shkatërruar.

“Në dy zonat më të goditura janë evakuar më shumë se 100 njerëz”, njoftonte Pilar Bernabe, përfaqësues i qeverisë qendrore në Valencia.

Tetë njësi ajrore zjarrfikëse po punonin përkrah forcave poshtë në terren, që ndihmoheshin gjithashtu nga ushtria.

Shërbimi vendas meteorologjik tha se temperaturat kishin arritur në 30C në shumë zona të Spanjës prej të shtunës, duke përfshirë rajone veriore si Pirenetë, Galicia e Castilla y Leon.

Tarbena ku ka rënë zjarri i Valencias, është rreth 20 kilometra larg brigjeve, pranë zonave të rezorteve turistike.