Rajoni

Në OKB shtyhet votimi mbi rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë!

Votimi për një rezolutë për Srebrenicën është shtyrë e nuk do të zhvillohet në datën 2 maj, pra të enjten e javës tjetër. Njoftimin e dha ambasadori i Bosnjë-Hercegovinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Zllatko Lagumxhija duke folur për televizonin N1.

Në këtë moment, ne e dimë që seanca nuk do të mbahet më 2 maj, pasi sot po e dërgojmë tekstin e rezolutës për rishikim për të parë nëse shtetet e Kombeve të Bashkuara kanë propozime të tjera për tekstin. Me gjasë, Asambleja e Përgjithshme do të mblidhet pas 6 majit, në varësi nga orari i seancave, por këtë do ta dimë të martën e ardhshme, më 30 prill.

Siç vuri në dukje ambasadori, misioni i Bosnjë-Hercegovinës në Kombet e Bashkuara do të marrë pjesë në këtë diskutim në mënyrë që t’iu shpjegohet më mirë teksti i rezolutës të gjitha shteteve që kanë paqartësi rreth dokumentit.

Ndërkaq, në selinë e OKB-së në Nju Jork po mbahen konsultime joformale në lidhje draft-rezolutën, e cila përfshin shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Siç është njoftuar në faqen zyrtare të OKB-së, konsultimet mbi draftin e rezolutës janë thirrur nga misionet e përhershme të Gjermanisë e Ruandës, së bashku me ato të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në draft-rezolutën, në të cilën më herët ka pasur akses Radio Evropa e Lirë, ndër të tjera kërkohet që të dënohet çdo mohim i gjenocidit në Srebrenicë dhe po ashtu, veprimet që lartësojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid. Kujtojmë se në vitin 1995, u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë nga forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska, në atë që cilësohet masakra më e rëndë në Europë prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burg për gjencodin dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë, rreth 30 vjet më parë.