Aktualitet

Nën efektin e drogave në timon, pranga të riut në Tiranë!

Policia e Tiranës njoftoi sot arrestimin e një të riu, që po drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit dhe drogave. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Rrugore të kryeqytetit me prangosjen e tij, shtetas i moshës 21-vjeç shkoi në 115 numri i drejtuesve të mjeteve cilët janë konstatuar në timon nën efektin e lëndëve narkotike.

Në njoftimin zyrtar të policisë së kryeqytetit thuhet: 

Së fundi, gjatë kryerjes së veprimeve policore dhe administrative, drejtuesi i automjetit me iniciale A. F., 21 vjeç, ka manifestuar sjellje të dyshimta në raport me kërkesat ligjore të punonjësve të Policisë, mbas verifikimeve të kryera ku rezultoi në efektin e alkoolit, në masën 0.21 mg/l dhe nga verifikimi me drogë-testues rezultoi në efektin e lëndës droguese THC.

Sa më sipër, u bë menjëherë kapja në flagrancë e drejtuesit të automjetit, si i dyshuar për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Policia Rrugore apelon për respektimin e rregullave dhe fton qytetarët të denoncojnë shkeljet në 112.