Rajoni

Nesër mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE, Drejtori për Politikat Evropiane në Kosovë: Pritet të aprovohet liberalizimi i vizave

Liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në rendin e ditës së nesërme në takimin e Këshillit të Ministrave të BE. Këtë e bëri me dije Drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane, Demush Shasha.

“Lajm i shkëlqyer që nesër Këshilli i Ministrave të BE-së do të aprovojë liberalizimin e vizave për Kosovën, nën “piken A” që nënkupton se konsensusi brenda të gjitha vendeve anëtare është arritur edhe në nivelin politik”, shkroi Shasha në Facebook.

Bashkimi Evropian e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai është paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti. Hyrja në fuqi e këtij sistemi është kthyer në temë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, sepse me të është lidhur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse sistemi ETIAS nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Në faqen e ETIAS-it nuk janë dhënë arsye për shtyrjen e këtij vendimi.

Pikërisht mundësia e bllokimit të procesit të vizave për Kosovën, i ka shtyrë disa vende të BE-së që të insistojnë për të pasur datë për këtë proces, edhe nëse do të ketë vonesa për ETIAS-in.