Sport

Nesër miqësorja me Suedinë, Kombëtarja në vendin skandinav/Etrit Berisha bashkohet me grupin!

Pas sfidës me Kilin, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit vijoi përgatitjet për miqësoren e dytë të marsit ndaj Suedisë e që luhet nesër. Nga dje pasdite po qëndrojnë në vendin skandinav. Departamenti i Komunikimit në FSHF bëri të ditur se Etrit Berisha udhëtoi me ekipin për sfidën e radhës. Pas dëmtimit të pësuar, gjendja e portierit kuqezi është më e mirë dhe do të monitorohet gjatë gjithë kohës nga stafi mjekësor.

Lojtarët që u aktivizuan titullarë me Kilin, dje zhvilluan vetëm disa ushtrime fizike dhe pa top. Ndërsa futbollistët që nuk u aktivizuan apo hynë në fushë si zëvendësues bënë stërvitje më të ngarkuar dhe taktike. Përgatitjet për sfidën ndaj Suedisë, Kombëtarja do t’i mbyllë nesër, me seancën e fundit stërvitore në stadiumin e ndeshjes.

Sfida Suedi-Shqipëri zhvillohet më datë 25 mars ora 19:00, në stadiumin “Friends Arena”.

Ndërkaq, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit nuk arriti dot që më 22 mars ta mbyllte me sukses testin e parë miqësor për vitin 2024, një përballje shumë interesante ndaj Kilit e ku trajneri Silvinjo nisi punën konkrete për pjesëmarrjen në Europianin e kësaj vere në Gjermani. Por, Kombëtarja humbi me rezultatin 3-0 në Parma të Italisë, në miqësoren ndaj Kilit.

Kombëtarja shqiptare u përball për herë të parë me skuadrën e Kilit në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës.

92’+ Kili shënon golin e tretë
83′ Kili shënoi golin e dytë me anë të Bolados

67′ Doli nga loja Manaj, e zëvendësoi Armando Broja
55′ Rast i rrezikshëm në favor të Kilit nga goditja e këndit. Mbrojtja shqiptare dërgoi topin në një tjetër goditje këndi

46′ Nisi pjesa e dytë, kuqezinjtë tentuan të depërtonin mesfushën kiliane.

45′ U mbyll pjesa e parë, Kili udhëhoqi me një gol. Kuqezinjtë provuan të kundërpërgjigjen me një goditje të Jasir Asanit, por pa rezultat.

19′ Kili në avantazh. Gjuajtja e Edouardo Vargas përfundoi në rrjetë. Protestuan kuqezinjtë për prekje me dorë, arbitri italian e cilësoi të rregullt.

10′ Presing i kuqezinjve, gaboi mbrojtja e Kilit. Bajrami pasoi për Manajn, i cili nuk arriti të shfrytëzonte mundësinë e krijuar.

Përballja me amerikano-latinët u prezantua si një provë e vërtetë pasi kundërshtarët njihen si të renditur mes skuadrave të nivelit mbi mesatar. Ndeshja mes Shqipërisë dhe Kilit në stadiumin “Ennio Tardini” u transmetua live në kanalin SuperSport 2, në Digitalb.