Celebrities Lancio

Nga bashkëpunimet me artistët shqiptarë si Ardian Bujupi e deri te projektet e ardhshme, Dj TR3NDY flet për TAR!

Lancio është programi juaj i preferuar që ju shoqëron nga e hëna në të premte me muzikë të mirë dhe jo vetëm. Ditën e djeshme, prezantuesja Albana Ruçi na njohu më shumë me një Dj që në fakt nuk ka pak hite dhe nuk shfaqet pak herë në koncerte, madje shumë prej tyre i ka dhe jashtë kufijve. Bëhet fjalë për Dj Trendy, i cili për dëgjuesit e TAR zbuloi shumëçka nga projektet e ardhshme.

Fillimisht Dj Trendy na tregoi se kur e ka nisur karrierën e tij dhe vendet ku e shfaqte talentin e tij.

Me muzikë jam marr që prej 10 vitesh, në një moshë shumë të re diku 16-17 vjeëare. Në fillim luaja në pub-e të vogla. Hap pas hapi nisa të merrem me kompozim, kam kompozuar dhe hite, si ‘Welcome to Prishtina’, unë bashkë me Adrian Gaxhën. Ka qenë hit. Ja kam nisur pastaj me evente nëpër Zvicër, Gjermani, Kosovë. Kam qenë në turne me Ardian Bujupin. Muzika më ka ecur shumë mirë.

Projekti ‘U kry’ në bashkëpunim me Faton Qerimin pati mjaft sukses dhe artisti na tregoi se si lindi ky projekt.

Në momentin që e kam krijuar beat-in e dija që duhet ta këndonte Fatoni. Ai pas tre-katër orësh ma ka dërguar me vijë melodike dhe i thash kjo ka për të qenë hit.

Cilat kanë qenë bashkëpunimet e preferuara dhe a do të ketë surpriza të tjera në të ardhmen, Dj Trendy na zbulon më shumë.

Nuk kam punuar me artistë shqiptar të Shqipërisë, kam punuar në Kosovë. Bashkëpunimi i preferuar, nëqoftëse bëhet fjalë për muzikë elektronike, do kisha zgjedhur Fatonin, është stil shumë i veçantë i zhanrit muzikor. Këtu te ne nuk prodhohen shumë. Kam gati 20 projekte të palançuara. Disa i kam me Florianin. Nëqoftëse bëhet fjalë për një bashkëpunim që do kisha dëshirë për artistë nga Shqipëria ose Kosova do kisha zgjedhur Dafina Zeqirin se i përshtatet çdo lloj rryme dhe Ylli Limanin.