Aktualitet

Ngjarjet e 8 janarit, Basha dëshmon në Prokurorinë Tiranë!

Për rreth dy orë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dha sot dëshminë e tij para prokurorëve në Prokurorinë e Tiranës, për ngjarjet e ndodhura në protestën e 8 janarit në selinë blu. Në një prononcim për gazetarët pas daljes nga organi i akuzës, Basha theksoi kërkesën drejtuar organeve të ligjzbatimit: “të zbardhin menjëherë përgjegjësit dhe t’i vënë para përgjegjësisë ligjore”.

Dhuna u orkestrua, u organizua dhe u urdhërua nga Sali Berisha dhe një grup mercenarësh dhe kriminelësh që përbëjnë një organizatë kriminale. Demokratët  u thirrën për t’u përdor si fasadë. Një pjesë shumë e vogël iu përgjigj thirrjes por u distancua nga dhuna, por i përshëndes!

Duke iu drejtuar demokratëve, Basha deklaroi:

Kjo është një ditë në të cilën nuk duhet të kishim ardhur kurrë për interesat e askujt dhe ky është një dëmet e mëdha që po i shkaktohet familjes tonë politike, për shkak të egoizmit pakufi të Sali Berishës dhe mbivendosjes së hallit të tij personal, interesave të demokratëve dhe shqiptarëve.
Megjithatë, ndonëse PD, ne, ishim subjektet e një sulmi barbar dhe të dhunshëm, nga njëra anë kërkoj zbardhjen e plotë dhe vendosjen para përgjegjësisë të autorëve, organizatorëve frymëzuesve të dhunës.

Dhe nga ana tjetër u them demokratëve se nuk do të humbasim asnjë sekondë në këtë kurth ku na dëshiron kundërshtari ynë dhe kundërshtari i interesit të gjithë shqiptarëve, por duhet një orë e më parë të jemi në krye të betejës për ta çliruar Shqipërinë, nga ky makth që është produkt i keqqeverisjes dhe aleatëve të keqqeverisjes ku tashmë edhe Sali Berisha me aktet e 8 janarit, është dëshmuar si një aleat i vyer, sepse kohë e çmuar e PD-së, e drejtuesve të PD-së, deputetëve të PD-së, kohë e çmuar mediatike që duhej të vihej në dispozicion të së mirë publike duke denoncuar, duke kërkuar vënien para përgjegjësisë.

Sot kjo Prokurori duhet të gëlonte nga të arrestuarit për aferën e inceneratorëve nga aferat e tjera të kësaj qeverie. Sot duhet të ishim në një betejë të plotë politike për largimin e këtij regjimi, për fat të keq siç e kam thënë më parë, me aktet dhe me veprimet e tij përçarëse dhe me gjuhën e retorikës së tij të dhunës Sali Berisha është përpjekur ta pengojë këtë.

Një ditë më parë, në Prokurorinë e Tiranës ishin Sali Berisha e Flamur Noka e ish-kryeministri përsëriti qëndrimin se “protesta ishte paqësore”. Më herët, sot dëshmoi në Prokurori, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.