Aktualitet

Nis punë Njësia Ushtarake e Sigurisë Kibernetike/Luftë kërcënimeve kibernetike!

Në Ministrinë e Mbrojtjes, inaugurohet Njësia Ushtarake e Sigurisë Kibernetike, e cila operon 24/7, me rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe në mbrojtjen e sistemeve tona të informacionit. Me mbështetjen amerikane, kjo njësi do të funksionojë falë ekspertizës së specializuar të profesionistëve e teknologjisë së përparuar.

Kryeministri Edi Rama pa nga afër mënyrën e funksionimit të saj ndërsa një prej punonjësve të njësisë shpjegoi:

Kjo është njësia më e re për sigurinë kibernetike. Ky investim është ndarë në tre pjesë, në tre lote. Loti  parë është investimi që shikoni këtu, kompjutera, sisteme, serverë, monitorë dhe trajnime që jemi në proces duke i bërë në lidhje me fushën e Cyber-it. Loti i dytë është pjesa për përmirësimin e infrastrukturës aktuale në rrjetin e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe loti i tretë është këshilltari jonë, që do jetë pjesë për tre vjet, duke na mbështetur për sigurinë kibernetike dhe do jetë atashuar pranë Shqipërisë. Këtu është qendra operacionale e sigurisë kibernetike që operojmë 24/7. Edhe natën kemi persona që monitorojnë rrjetin e Forcave të Armatosura.

Një tjetër punonjës dha detaje:

Në kohë reale, sistemi siguron alerte, të cilat mund të kenë qëllime keqdashëse ndaj sistemeve. Në orët e para kemi parë një tentativë të mundshme, një aplikacion të panjohur, i drejtuar drejt një pajisjeje, e cila ndodhet te Akademia e Forcave të Armatosura dhe që është një pajisje shumë kritike për sistemet e Forcave të Armatosura. Si skuadra e monitorimit, ne bëjmë analizimin bazik të çdo eventi që gjenerohet nga platforma dhe nga analizimi bazik që mund të gjykojmë të gjithë rrjedhjen e informacionit që ka pasur nga tentativat e aktorëve që mund të jenë keqdashës drejt pajisjeve tona, shikojmë që disa prej tyre janë kategorizuar nga kjo platformë si keqdashëse. Unë si monitorues mendoj që kjo është diçka që mund të jetë kritike për sistemet tona dhe mund të ketë efekte negative, menjëherë këtë e kaloj te skuadra operacionale për një analizim më te detajuar.

Njësia Ushtarake e Sigurisë Kibernetike realizon edhe kundërpërgjigjen ndaj kërcënimit kibernetik.

Rasti konkret që sektori detektoi ka kaluar te sektori i analizës për një analizim më të detajuar të tentativës dhe nëse kemi kompromentim të sistemeve tona, ne përdorim një platformë e cila është fjala e fundit e teknologjisë, që përdoret për orkestrimin, automatizimin dhe përgjigjen e të gjithë rasteve dhe incidenteve.

Në rastin konkret, nuk kanë mundur, pasi kemi sistemet e mbrojtjes që bëjnë bllokimet e gjithë tentativave dhe nuk kemi një kompromentim i sistemeve, por nëse do të ndodhte, kjo çështje do i kalonte sektorit special për një analizim më të detajuara. Masat e para që ky sektor ka bërë është bllokimi i komunikimit me gjithë indikatorët.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se falë pjesëmarrjes së Shqipërisë në struktura ndërkombëtare të sigurisë kibernetike, mundësia e aftësimit të ekspertëve shqiptarë në këtë fushë është shumë e madhe.

Jo vetëm projekti që është shumë i plotë nga hardware, software, trajnimet, po ne kemi mundësinë e madhe që në rrjetin e qendrave të inovacionit, të mbrojtjes kibernetike të NATO-s, të shkëmbejmë informacione, të marrim trajnime të vazhdueshme.

Ka një qendër të NATO-s për sigurinë kibernetike, qendër ekselence në Estoni. Ne jemi bërë pjesë e saj, kështu që “Sky is the limit”, domethënë mundësitë janë shumë të mëdha për këta ekspertë të rinj që janë duke u formuar shumë shpejt dhe me të vërtetë kemi arritur brenda një kohe të shkurtër një standard mbrojtjeje shumë të lartë.

Janë shumë të motivuar, le të themi 50% janë ushtarakë, 50% janë civilë. Ende kemi vende të lira për rekrutim dhe duam ta dyfishojmë më shumë mbase edhe përtej nevojave reale që kemi këtu e ta përdorim si një shkollë për të formuar ekspertë, të cilët mund t’i shërbejnë jo vetëm Forcave të Armatosura më vonë, por edhe agjencive të tjera e pse jo edhe sektorit privat se në fund fare kjo rrit kapacitetet mbrojtëse, si dhe sigurinë kombëtare.