Celebrities Magazine

“Modeles së revistës Playboy…”, dëshmia e botuesit në gjyqin ndaj ish-presidentit amerikan!

Ish-botuesi i revistave tabloid David Pecker i tha jurisë në gjyqin penal në Nju Jork të ish-presidentit Donald Trump se i pati paguar 150 mijë dollarë një modeleje të revistës Playboy për të blerë të drejtën e publikimit të pretendimit të saj për një marrëdhënie njëmujore me zotin Trump. Ai tha se synonte:

Të eleminoj këtë histori për të ndihmuar kandidatin për president në zgjedhjet e vitit 2016, i cili ishte njëkohësisht edhe miku im i hershëm.

Gjatë pyetje-përgjigjjeve që zgjatën mbi tre orë, avokati i ish-presidentit Trump, Emil Bove, u përpoq të ngrinte dyshime rreth kujtesës së zotit Pecker për mënyrën se si e ndihmoi zotin Trump. Zoti Pecker, dikur botues i revistës “The National Enquirer”, pranoi disa herë se dëshmia e tij e dhënë gjatë katër ditëve të marrjes në pyetje këtë javë, nuk dallonte shumë nga intervistat që pati me hetuesit disa vite më parë. Në shumicën e rasteve sidoqoftë, zoti Pecker refuzoi kritikat që i bëheshin nga avokati Bove.

Por zoti Pecker u shpreh dakort me qëndrimin e avokatit Bove se pagesa për Karen McDougal, e shpallur Modele e Vitit 1998 e Revistës Playboy, ishte më shumë se një përpjekje për të siguruar heshtjen e saj për marrëdhënien me zotin Trump për ta fshehur këtë informacion nga votuesit tetë vite më parë. Kompania American Media Inc., kompania mëmë e revistës Enquirer, publikoi 65 artikuj të zonjës McDougal në lidhje me shëndetin, që ishin shkruar në fakt nga persona të tjerë dhe që u reklamuan në faqet e para të revistave të kësaj kompanie.

Kur avokati mbrojtës përfundoi pyetjet për zotin Pecker, 72-vjeç, prokurori Joshua Steinglass përmendi me shpejtësi marrëveshjen e nënshkruar nga kompania American Media me autoritetet federale për të shmangur ngritje akuzash për shkelje të ligjeve për financimin e fushatave nëpërmjet pagesave për zonjën McDougal. Në marrëveshje thuhet se:

Qëllimi kryesor kishte qenë heshtja e historisë së modeles që të shmangej kështu ndikimi tek zgjedhjet.

Zoti Pecker ishte shprehur gjatë dëshmive të tij katërditore se shfaqja e artikujve në revistat në pronësi të kompanisë American Media ishte “për të mbuluar qëllimin e vërtetë. Qëllimi real ishte të merreshin të drejtat përgjithnjë për historinë e saj, në mënyrë që të mos publikohej” ndonjëherë. Zoti Pecker i pati thënë të enjten jurisë me 12 anëtarë se e besonte historinë e zonjës McDougal për lidhjen me zotin Trump, megjithëse ai e ka mohuar këtë. Zoti Pecker tha në dëshminë e tij se zoti Trump dëshironte ta mbante larg votuesve historinë me të dhëna të dëmshme përpara kandidimit të tij të suksesshëm për president në vitin 2016.