Aktualitet

Nis viti akademik, rikthim në auditorë për të vaksinuarit!

Pas më shumë se një viti online, viti i ri akademik 2021-2022 nisi sot në të gjithë vendin, me rikthimin në auditorë, por vetëm për studentët e pedagogët e vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës anti-COVID. Gjithashtu, për ata që paraqesin test negativ PCR, në rast se nuk janë të vaksinuar.

Në kryeqytet, ku është edhe numri më i lartë i studentëve, deri tani janë vaksinuar mbi 50% e tyre, referuar shifrave që jep Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha. Pikat e vaksinimit pranë fakulteteve vijojnë të funksionojnë. Ndërkohë, disa të rinj në Tiranë kanë paralajmëruar protesta duke theksuar se janë kundër vaksinimit me detyrim.

Në Vlorë, dhjetëra studentë të Universitetit “Ismail Qemali”, nuk u lejuan të hyjnë në auditorë. Të shumtë ishin ata që u paraqitën edhe pse nuk kanë bërë asnjë dozë të vaksinave anti-COVID, si dhe nuk paraqitën test PCR për të vërtetuar se nuk janë të infektuar me koronavirus. Në hyrje të universitetit, iu kërkohej certifikata e vaksinimit ose vërtetimi për njërën prej dozave, si dhe testi.

Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, atë “Fan S.Noli” në Korçë e “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka raportime se u sfidua urdhëri i Ministrisë së Arsimit, duke u lejuar të hyjnë studentët e pavaksinuar.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Rama uron fillimin e vitit akademik:

Mirëmëngjesi dhe me urimin për çdo student e pedagog për një vit sa më të suksesshëm akademik, si dhe përsëritjen e angazhimit tonë të vazhdueshëm në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, me ndërkombëtarizimin e universiteteve dhe pajisjen e studentëve tanë me aftësi konkurruese si të bashkëmoshatarëve të tyre në BE, ju uroj një javë të mbarë!

PD-ja akuzon kryeministrin Rama se me politikat e tij ka çuar në atë që e cilëson “braktisje të arsimit të lartë”. Deputetja Ina Zhupa:

Viti akademik nis me ultimatume për mos shkollim për studentet që nuk janë vaksinuar. Me 26 gusht në një vizite në konvikte Edi Rama deklaroi se mund te vij momenti që studentët të detyrohen të vaksinohen. Që nga ai moment kjo deklaratë filloi të merrte trajta detyruese nga komiteti i ekspertëve (politik) dhe nga ministria e arsimit dhe rektorët. Njëlloj si gjatë pandemisë ku logoretë në Facebook të kryeministrit ktheheshin në detyrime për qytetarët dhe organet ligjzbatuese!

Sot nis viti akademik për gjithë studentët e Shqipërisë! Në mandatin e dytë të qeverisjes Rama nga viti 2017 deri në 2021, janë regjistruar në arsimin e lartë publik dhe privat 19516 student më pak.  17% studentë më pak nga keqqeverisja e Rames dhe braktisja që po i bëjnë të rinjtë vendit.

Shumica zgjedhin të largohen nga mungesa e cilësisë arsimit dhe jetesës në Shqipëri, por edhe nga mungesa e punësimit në profesionin që ushtrojnë.  Ka edhe nga ata që e kanë të pamundur të vazhdojnë arsimin e lartë për arsye ekonomike, tarifa të larta edhe në publik, mungesa e bursave dhe lehtësira domethënëse për ta.

Por edhe kur diplomohen në vend, zgjedhin të largohen shumë shpejt, ku Shqipëria për shkak të politikave të gabuara në vlerësimin e profesioneve, kushteve dhe pagave nuk merr dot mbrapsh investimin e bërë në arsim. Vetëm në dy vite 2018 dhe 2019 ne Gjermani kanë njësuar diplomat 2460 mjeke, infermier dhe punonjës të shëndetësisë nga Shqipëria.

Viti akademik nis me ultimatume për mos shkollim për studentet që nuk janë vaksinuar. Me 26 gusht në një vizite në konvikte Edi Rama deklaroi se mund te vij momenti që studentët të detyrohen të vaksinohen. Që nga ai moment kjo deklaratë filloi të merrte trajta detyruese nga komiteti i ekspertëve (politik) dhe nga ministria e arsimit dhe rektorët. Njëlloj si gjatë pandemisë ku logoretë në facebook të kryeministrit ktheheshin në detyrime për qytetarët dhe organet ligjzbatuese!!

Në vend të një fushate ndërgjegjesimi, sensibilizimi, bisedimi dhe sqarimesh me ekspertët e shëndetësisë dhe studentëve në auditore për vaksinimin, zgjedhin kërcenimet për mos shkollim të rinisë shqiptare.

Problematika e krijuara nga ligji i arsimit të larte, tarifat, karta e studentit me shume propagandë së shërbime, vështirësitë me mësimin online, dështimi i kërkimit cilësor shkencor dhe kontrollit të cilësisë, statusi dhe pagesat e pedagogëve janë disa nga problemet që ky vit akademik i mbart si edhe ata paraardhës nga një keqmenaxhim dhe moskokëçarje së gjithe drejtuesve të qeverisjes Rama.

Si pedagoge por edhe si deputete, përfaqesuese në Komisionin e Edukimit, ju uroj studenteve dhe kolegeve një vit të mbarë akademik! Edhe ndaj me ju angazhimin tim për të bërë gjithçka për të kërkuar me shumë për të drejtat tuaja, për zhvillimin e arsimit dhe për një universitet autonom në shërbim të studentëve dhe me pedagoge të vlerësuar.

Ishte parashikuar që viti i ri akademik të niste më 11 tetor, por me kërkesë të Konferencës së Rektorëve, u përcaktua data 18 tetor, me qëllimin për t’i dhënë më shumë kohë vaksinimit masiv të studentëve.