Aktualitet

Nis zbatimi i marrëveshjes Shqipëri-Britani për transferimin e të burgosurve!

Nis zbatimi i marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar, 200 shqiptarë të dënuar do të transferohen në Shqipëri brenda dy vitesh. Britania e Madhe paguan të gjitha kostot. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, 200 të burgosur shqiptarë në burgjet e Anglisë e Uellsit që vuajnë dënime prej katër vjetësh ose më shumë, në dy vitet e ardhshme do të kthehen për të kryer pjesën e mbetur në institucionet shqiptare të vuajtjes së dënimit. Në njoftimin zyrtar për mediat të Ministrisë së Drejtësisë thuhet:

Do të nisë zbatimi i marrëveshjes mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë në lidhje me transferimin e të burgosurve shqiptarë që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar.

200 të burgosur shqiptarë në burgjet e Anglisë dhe Uells që vuajnë dënime prej katër vjetësh ose më shumë do të kthehen në dy vitet e ardhshme për të kryer pjesën e mbetur të dënimit në burgjet shqiptare.

Falë marrëveshjes, pala britanike do të paguajë kostot e strehimit të të burgosurve për gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit të tyre në vendin tonë dhe Shqipëria do të mund të rrisë investimet për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve në sistemin e burgjeve.

Ndërkohë që u japim mundësinë të dënuarve shqiptarë në Britaninë e Madhe, të shlyejnë pjesën e mbetur të dënimit pranë familjeve të tyre, Shqipëria do të mund të fuqizojë edhe më tej kapacitetet e sistemit penitenciar.

Zbatimi i marrëveshjes hyn në fuqi pas nënshkrimit nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri britanik Rishi Sunak në dhjetor 2022 si dhe pas diskutimeve që dy liderët zhvilluan në Londër në mars 2023.