Aktualitet Sociale

Nisja e vitit të ri shkollor më 11 shtator, Veliaj: Në orarin 07:00-09:00 ndalohet qarkullimi i furgonëve të mallrave në Tiranë!

Nga e hëna e 11 shtatorit që përkon me nisjen e vitit të ri shkollor, në Tiranë, asnjë mjet i transportit të mallrave, kryesisht ushqimore nuk do të qarkullojë në mëngjes në orarin 07:00-09:00. Bashkia e kryeqytetit rikthen urdhrin që synon të lehtësohet lëvizja për ata që çojnë fëmijët në shkollë. Po ashtu, nuk lejohen fadroma, betoniere, kamionë e trajlera në fashën kohore 07:00-20:00.  Kryebashkiaku Erion Veliaj:

Duke filluar nga data 11 shtator, në ditën e parë të shkollës, mjetet e panevojshme, edhe ato që janë nën 3.5 ton që bëjnë transportin e mallrave ushqimore, nuk do të lejohen të qarkullojnë nga ora 07:00 deri në orën 09:00. Nëse një çamçakëz ose një patatinë është aq e rëndësishme dhe jetike për mbarëvajtjen e atij marketi, duhet të bëhet para orës 07:00 ose pas orës 09:00.

Unë besoj se këto vite kemi ndërtuar në Tiranë një komunitet që është shumë më i rëndësishëm se çamçakëzët dhe patatinat, që janë fëmijët tanë. Para fëmijëve nuk do të vëmë asnjë punë tjetër. Do të sigurohemi që orari 07:00 me 09:00 t’i dedikohet vetëm lëvizjes në shkolla. Gjithashtu, nga ora 07:00 e mëngjesit e deri në 08:00 të darkës, fadroma, betoniere, kamionë, trajlera, nuk do të lejohen dhe të gjitha kantieret e Tiranës, siç e kemi zbatuar vitet e fundit duhet të punojnë pas orës 20:00.

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Erion Veliaj e Taulant Balla, sot takuan strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit, asaj Bashkiake, si dhe administratorë të shkollave, për planin e sigurisë në to e përgatitjet. Këtë vit hapin dyert 10 shkolla të reja. Kryetari i Bashkisë Tiranë:

Ne kemi hapur 40 shkolla të reja kurse këtë vit do të hapim dhe një buqetë me 10 të tjera. Do të thotë se përveçse zgjidhim problematikën e mësimit me dy turne, kemi krijuar edhe 10 vatra të reja ku do të ketë grumbullime, lëvizje e nevojë për koordinim.

Veliaj kujtoi se Bashkia e Tiranës është e para ku çdo shkollë ka një administrator.

Deri dje, drejtori ose drejtoresha e shkollës duhej të merrej edhe me çelësat që s’punonin, me kaldajën, me një xham që thyhej, edhe me ndërrimin e rrjetave të volejbollit e të basketbollit. Fatmirësisht, kjo gjë është e tejkaluar dhe këto punë janë ndarë njëherë e mirë. Eshtë administratori i shkollës ai që sigurohet për mirëmbajtjen.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se pjesë e rëndësishme e institucioneve shkollore janë edhe mjediset sportive, sidomos në vitin kur Tirana mban titullin e Qytetit Europian të Sportit.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla e vuri theksin në luftën kundër krimit dhe fenomeneve negative në perimetrin e shkollës.

Sot kemi bërë një diskutim shumë të frytshëm me Ministrinë e Drejtësisë dhe me ekipin që po punon për ndryshimet në Kodin Penal. Mund t’ju them se duke filluar nga shitja dhe shpërndarja e lëndëve narkotike e më pas me mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit, të armëve të ftohta, si dhe çdo vepër tjetër dhune, shfrytëzim prostitucioni apo pornografi, ne do t’i rrisim ndëshkimet ndaj gjithë keqbërësve që përfshihen në këto vepra penale brenda perimetrit të sigurisë në shkolla.

Objektivi ynë kryesor është parandalimi pa kompromis i kriminalitetit dhe i përdorimit të substancave narkotike në radhët e të rinjve, si dhe goditja e rrjetit të shpërndarjes së drogës në perimetrin e sigurisë në shkolla, në Tiranë e mbarë Shqipërinë. Kam besim që ditët në vijim, Policia e Shtetit do t’i përgjigjet kësaj nevoje të madhe publike me punë e me operacione, të cilat duhet që të japin rezultate konkrete.