Bota

Një delegacion amerikan në Tajvanin e pretenduar nga Kina/Zyrtarët e ishullit: Vizitë me rëndësi të madhe!

Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen tha se është “me rëndësi të madhe” vizita që po zhvillon në ishull një delegacion joformal i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, menjëherë pas zgjedhjeve.  Presidenti i zgjedhur Lai Ching-te nga Partia Demokratike Progresive (DPP) në pushtet fitoi të shtunën garën me 40,2% të votave. Ai do të betohet më 20 maj.

Gjatë takimit të sotëm në zyrën presidenciale, Tsai theksoi se vizita e grupit amerikan është e një rëndësie të madhe, “jo vetëm duke demonstruar plotësisht mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Tajvanit, por gjithashtu duke theksuar partneritetin e ngushtë dhe të fortë midis të dyve vendeve tona”, thuhet në deklaratën e zyrës së saj.

Sipas Institutit Amerikan në Tajvan (AIT), ambasada “de facto” e SHBA-ve në Tajpei, “grupi mbërriti dje në Tajpei”. Delegacioni përfshin ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Stephen Hadley, ish-zëvendës sekretarin e Shtetit, James Steinberg dhe kryetaren e AIT-së, Laura Rosenberger.

Headley i tha Tsait se vizita e tyre në Tajvan është për të riafirmuar se angazhimi i SHBA-ve ndaj Tajvanit është i fortë, parimor dhe dypartiak, referuar deklaratës së lëshuar nga zyra e Tsai-t.

Ne gjithashtu presim me padurim të vazhdojmë marrëdhëniet Tajvan-SHBA nën udhëheqjen e qeverisë së re dhe të ruajmë së bashku paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit.

Delegacioni i SHBA-ve shkoi edhe në selinë e DPP-së për të përcjellë urimet për Lai-n dhe partnerin e tij në drejtim, Hsiao Bi-khim, ish-i dërguar i Tajvanit në SHBA.

Lai u tha delegatëve amerikanë se ai do të vazhdojë të drejtojë vendin mbi bazën e vendosur nga presidentja Tsai.

Shpresojmë që SHBA-të të vazhdojnë të mbështesin Tajvanin!

Amerika është e detyruar ligjërisht të mbështesë aftësitë mbrojtëse të Tajvanit për shkak të Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin e vitit 1979. Tajvani ka një qeveri të pavarur që nga viti 1949, por Kina e konsideron ishullin e vetëqeverisur si territorin e saj.