Aktualitet

Një politikan shqiptar i cituar në “Pandora Papers”!

“Pandora Papers”, investigimi i bujshëm i rreth 600 gazetarëve në botë që u krye në dy vjet dhe publikoi të dhëna për 27 mijë kompani të regjistruara në parajsa fiskale për të fshehur paratë, zbuloi se 13 prej tyre janë në Shqipëri. Mes liderëve botërorë, politikanëve, miliarderëve e personave vip, mësohet se rezulton edhe një politikan nga vendi ynë, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.

Sa i përket vendeve fqinje me Shqipërinë, në Malin e Zi ka dalë emri i Presidentit Milo Gjukanoviç, si i përfshirë në skandalin “Pandora Papers” e tani u shpreh se kompaninë e pati hapur kur nuk kishte asnjë funksion në politikë. Por një e tillë i del në emër të të birit e më herët, ka patur motrën të përfshirë në offshore.

Në botë ekzistojnë këto kompani që quhen offshore, të regjistruara në vende e territore që njihen si parajsa fiskale, të tilla si Zvicra, Singapori apo Qipro. Nëpërmjet tyre, pronarët shfrytëzojnë mundësinë që t’i fshihen taksave, si dhe në këto linja kalojnë gjithashtu paratë e korrupsionit apo të tjera të paligjshme.

Në skandalin “Pandora Papers”, mes përfituesve janë dhe artistë e supermodele. Jo vetëm rrethi i ngushtë i presidentit të Rusisë, Putin; Mbreti i Jordanisë, Abdullah; kryeministri çek, Babis apo presidenti i Kenias, Kenyatta, të cilët janë vetëm disa prej liderëve. Lista vijon me këngëtarët Shakira e Julio Iglesias, ish-top modelen gjermane, Claudia Schiffer e gjithashtu mafiozin italian Raffaele Amato, historia e të cilit frymëzoi filmin “Gomorra”.