Aktualitet

Një viktimë e dy të plagosur nga tre aksidente në Fushë Krujë, Berat e Korçë!

Aksidentet vazhdojnë të përgjakin rrugët shqiptare, tre të tilla u regjistruan vetëm sot në vendin tonë, me pasojë një viktimë e dy të plagosur, në pjesë të ndryshme të territorit shqiptar.

Në fshatin Larushk, një grua e moshës 61-vjeçe humbi jetën pasi u përplas nga një makinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00 të mesditës, ndërsa viktimë mbeti Lume Rryta, e cila fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetojë dëmtimeve. Drejtuesi i automjetit, një shtetas 55-vjeçar u shoqërua nga uniformat blu në komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale.  Grupi hetimor në vendngjarje, po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit fatal.

Por, ky nuk ishte aksidenti i vetëm për sot. Po mesditën e kësaj të shtune, në rrugën kombëtare Berat-Dimal, një automjet tip “Volkswagen” u përplas me një kamion. Drejtuesja e autoveturës u dërgua me urgjencë në spital ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në sallën e kirurgjisë, ndërsa po merr trajtim mjekësor për dëmtimet e shkaktuara në kokë dhe shpatull. Rrethanat e aksidentit po hetohen.

Më herët gjatë ditës, një aksident rrugor ndodhi rreth orës 05:45 të mëngjesit në fshatin Turan të Korçës, ku një 20-vjeçar të cilit i jepen inicialet N. K. humbi kontrollin e makinës tip “Toyota” që po drejtonte e për pasojë doli nga rruga. Ai mbeti i lënduar dhe u dërgua në Spitalin e Korçës për ndihmë të specializuar mjekësore.

Njoftimi i Policisë Korçë:

Më datë 02.07.2022, rreth orës 05:45, jemi njoftuar se në aksin rrugor Korçë-Voskopojë, në afërsi të fshatit Turan, Korçë, shtetasi N. K., rreth 20 vjeç, banues në fshatin Voskopojë, duke drejtuar mjetin tip “Toyota”, dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga. Për pasojë është lënduar vetë drejtuesi, i cili po merr ndihmën mjekësore në Spitalin e Korçës. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të daljes nga rruga të automjetit.