Aktualitet

Një vit burg për ish-zyrtaren e Ministrisë së Brendshme, Edlira Naqellari/Abuzime me tenderin e uniformave të Policisë!

U arrestua për korrupsion me tenderin në uniformat e Policisë së Shtetit, dënohet me një vit burg ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari. Gjithashtu, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar dha dënime me nga 8 muaj deri në 1 vit burg edhe për 8 ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Brendshme. Ata janë Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj, Anisa Bogdani, Klevis Hasani, Flutura Çerkezi, Ani Omuri e Kreshnik Bejkaj.

Ishte një operacion i SPAK-ut i zhvilluar në korrik të këtij viti që çoi në arrestimet e lidhura me tenderin abuziv të 11 majit 2020 të uniformave të Policisë, me vlerë 2.8 miliard lekë. Akuzat u ngritën për shkelje të barazisë në tendera. Prokuroria e Posaçme përgjoi dhe vëzhgoi 9 zyrtarët e ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, pasi bashkëpunëtorët e drejtësisë zbuluan skemën e abuzimit me tenderin, që u refuzua të firmosej nga një anëtar i Komisionit dhe një tjetër i Prokurimeve.

Në 2019-ën nisën procedurat e tenderimit e sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, tenderi duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar me uniformat, këpucët e shpërndarjen.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme bëri bashkimin e të tre këtyre pjesëve në vetëm një të tillë, gjë që çoi deri në rritje të çmimit, ulje të sasisë së materialeve dhe reduktim të cilësisë.

Fituesi i tenderit me vlerë 2.8 miliard lekë, që ishte bashkimi i 4 operatorëve ekonomikë, kompanisë shqiptare “D&E shpk”  dhe tre të huajave “Summer Conf s.r.l”, “Lovers s.r.l”  e “YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN.TIC” kishte mangësi në plotësimin e dokumentacionit. Ndërkaq, u skualifikuan kompani të tjera që kanë ofruar çmime më konkurruese.