Rajoni

Njohja e minoritetit bullgar/ VMRO-DPMNE nuk voton ndryshimet kushtetuese!

Deputetët e partisë më të madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE, nuk votuan për ndryshimet kushtetuese sa i takon minoritetit bullgar, me argumentin se ato kërcënojnë ekzistencën e kombit maqedonas dhe nuk mbështeten as nga qytetarët.

“Maqedonasit në parim nuk kanë asgjë kundër njohjes së kombësisë bullgare në Kushtetutë. Megjithatë, preambula duhet të përforcojë vazhdimësinë historike të popullit maqedonas, kombit maqedonas dhe veçorinë e gjuhës origjinale maqedonase”- tha Branko Gerovski, redaktor i gazetës “Plus Info”.

Amendamentet kushtetuese u kërkuan nga Bullgaria si kusht për avancimin e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit në BE të Maqedonisë së Veriut. Qeveria aktuale dëshiron ta përmbushë këtë kërkesë.

“Ne si vend duhet ta përmbushim këtë detyrim nëse dëshirojmë të vazhdojmë rrugën evropiane”- shtoi Darko Kaevski, zëdhënës i Aleancës Social-Demokratike.

Ndryshimet kushtetuese do të vendosen vetëm në qershor, pas zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit dhe zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.