Bota

Nuk ka më dyshime, Biden-Trump do të përballen në zgjedhjet e nëntorit!

Në Shtetet e Bashkuara, Joe Biden dhe Donald Trump u zgjodhën si kandidatë për president nga partitë përkatëse, pasi shënuan fitore vendimtare në zgjedhjet paraprake duke i hapur rrugë përsëritjes së përballjes mes tyre në presidencialet e nëntorit.

Rezultati i garave paraprake në Xhorxhia, Misisipi e Uashington, asnjëherë nuk vihej në dyshim. As demokrati Biden dhe as republikani Trump nuk u përballën me kundërshtarë të fortë. Fitoret në zgjedhjet paraprake iu mundësojnë numrin e mjaftueshëm të delegatëve të nevojshëm për t’u zgjedhur zyrtarisht kandidatë për president në konventat e verës.

Tani nuk ka më dyshime se në zgjedhjet e nëntorit, Biden dhe Trump do të përballen përsëri, si më 2020-ën. Por, rruga e tyre përpara nuk do të jetë e lehtë. 81-vjeçari Biden, tashmë është presidenti më i moshuar në historinë e Shteteve të Bashkuara ndërsa 77-vjeçari Trump përballet me katër raste penale.

Përsëritja e përballjes, e para mes dy presidentëve amerikanë prej vitit 1912 mund t’i thellojë ndarjet politike dhe kulturore gjatë tetë muajve të ardhshëm, siç raporton Associated Press. Biden e cilësoi Trump-in si kërcënim serioz për demokracinë.

Trump po drejton një fushatë shpagimi, hakmarrjeje dhe inati, e cila e kërcënon Amerikën.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, Trump kremtoi atë që e quajti “fitore të madhe”.

Por, ne tani duhet t’i kthehemi punës, sepse kemi presidentin më të keq në historinë e vendit tonë. Nuk do të humbim kohë për të festuar. Do të festojmë pas tetë muajve, pasi të kenë përfunduar zgjedhjet.

As Trump dhe as Biden nuk e kanë të lehtë rrugën përpara. Trump përballet me katër raste penale, përfshirë përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat i humbi, si dhe për keqmenaxhimin e dokumenteve të klasifikuara.

Po ashtu, përballet me pyetje rreth planeve politike dhe marrëdhënieve me disa prej diktatorëve më të rrezikshëm në botë. Më 8 mars, Trump u takua privatisht me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, i akuzuar se ka përmbysur demokracinë në vendin e tij.

Biden, i cili do të mbushte 86 vjet në fund të mandatit të ardhshëm, po punon për të garantuar një elektorat skeptik se ai ende është i aftë mendërisht dhe fizikisht për të bërë siç duhet punën më të rëndësishme në botë.

Por, përballet me mosmarrëveshje brenda bazës demokrate. Ka pakënaqësi se ai nuk ka bërë më shumë për të ndalur luftën e Izraelit kundër Hamasit, grupit të shpallur terrorist nga SHBA-të në Gaza. Aktivistët dhe liderët fetarë në Uashington i nxitën demokratët të votojnë “i pavendosur” në shenjë zemërimi.