Bota

OBSH: Evropa të ndalojë “relaksimin” e masave kufizuese, do përfundojë si India!

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi sot Evropën të ndalojë relaksimin e masave kufizuese kundër pandemisë së koronavirusit.  Sipas OBSH-së  “një situatë e ngjashme me atë në Indi mund të shfaqet kudo”.

Mediet e huaja shkruajnë se OBSH-ja vlerëson se kriza e madhe shëndetësore që po kalon India mund të jetë për shkak të llojit të mutuar të koronavirusit, që u zbulua për herë të parë atje, por edhe për faktorë të tjerë, të tilla si mosrespektimi i rregullave shëndetësore.  Drejtori i OBSH-së  paralajmëroi Evropën:

Është gjithmonë një sfidë e madhe për vendet ku masat individuale të mbrojtjes janë zbutur, ku po zhvillohen tubime masive, ku ka lloje më ngjitëse të mutacioneve dhe ku mbulimi i vaksinimit është i ulët, të gjitha këto mund të krijojnë situatë të komplikuar me COVID.

Në të gjithë Evropën, siç përcaktohet nga OBSH-ja, e cila përfshin shumë vende të Azisë Qendrore, 7% e popullsisë është vaksinuar plotësisht. Sipas organizatës ndërkombëtare, përqindja është më e lartë se ajo e njerëzve të infektuar me COVID-19 në të njëjtën zonë 5.5%.

Pandemia e koronavirusit ka marrë përmasa katastrofike në Indi, ku mijëra persona të tjerë infektohen çdo ditë dhe viktimat janë në nivele tepër të larta. Sistemi shëndetësor ka kaluar në kolaps dhe tashmë spitalet nuk po përballojnë dot dhe nevojat për oksigjen, i cili në tregun e zi ka arritur një çmim rekord.

Për të përballuar situatën, autoritetet kanë vendosur të nxjerrin në terren ushtrinë për të ndihmuar spitalet e tejmbushura. Vdekjet kanë shënuar shifra shumë të larta dhe janë shtuar dhe vetëvrasjet. Në pamundësi për t’u varrosur një pjesë e të infektuarve janë djegur.