Health & Beauty

OBSH: Të paktën 15 milionë persona kanë vdekur nga COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka vlerësuar se numri i vdekjeve me koronavirus në botë mund të ketë shkuar në rreth 15 milionë.

Kjo shifër është për 13 për qind më e madhe sesa ajo që është parashikuar përgjatë dy vjetëve.

OBSH beson se shumë shtete nuk kanë raportuar situatën reale për viktimat me COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi.

Zyrtarisht besohet se 5.4 milionë njerëz kanë vdekur me këtë virus.

Sipas OBSH-së, në Indi kanë vdekur 4.7 milionë njerëz, apo 10 herë më shumë sesa është raportuar.

Qeveria indiane i ka parë me dyshime këto vlerësime, duke thënë se ka “shqetësime” për metodologjinë, ndonëse edhe studime tjera kanë përmendur shifra të ngjashme për viktimat në Indi.

OBSH ka përfshirë në kalkulime edhe vdekjet për të cilat COVID-19 nuk ka qenë pasojë direkte, por përcjellëse, pasi aty ka pasur raste të vdekjeve sepse pacientët nuk kanë pasur qasje në kujdesin shëndetësor për të cilin kanë pasur nevojë.

Duke raportuar për shifrat, mjekja Samira Sama, nga Departamenti për të dhëna në OBSH, e ka cilësuar situatën si “tragjedi”.

“Është numër marramendës dhe është e rëndësishme për ne të nderojmë jetët e humbura, por edhe që të mbajmë përgjegjës politikbërësit”, ka thënë ajo.

“Nëse nuk numërojmë të vdekurit, ne do të humbin mundësinë që të jemi të përgatitur më mirë në të ardhmen”.

Përveç Indisë, shtetet tjera me numër të lartë të viktimave me COVID-19 janë: Rusia, Indonezia, Shtetet e Bashkuara, Brazili, Meksiko dhe Peruja.

“Pandemia po zbehet, por s’ka përfunduar”

Pandemia e COVID-19 po kalon në një fazë endemike në shumë vende të botës, por nuk mund të quhet e përfunduar. Kështu mendon, William Schaffner, profesor i Mjekësisë në Divizionin e Sëmundjeve Infektive në Qendrën Mjekësore Universitare Vanderbilt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë, Schaffner flet lidhur me “largimin e shpejtë” të masave mbrojtëse në disa vende të Evropës, si dhe rënies së interesimit në vaksinim. Shqetësuese, sipas profesorit, mbetet mundësia e përhapjes së ndonjë varianti të ri që do të ishte në gjendje t’i shmanget mbrojtjes nga vaksinat e tanishme kundër COVID-19.

Schaffner flet edhe për mësimet që bota duhet t’i marrë nga kjo pandemi që të jetë më e përgatitur për përhapjen eventuale të ndonjë sëmundjeje tjetër ngjitëse në të ardhmen.